Lidhje

Presidenti serb takohet me zyrtarë evropianë për planin e Ahtisarit


Presidenti i Serbisë Boris Tadiç konfirmoi sot në Bruksel pjesëmarrjen e Serbisë në takimin e nivelit të lartë të 10 Marsit në Vjenë midis Prishtinës dhe Beogradit.

Takimi i kësaj jave është cilësuar si përpjekja e fundit e komunitetit ndërkombëtar për arritjen e një kompromisi mes palëve. Por shanset për një kompromis janë pothuajse zero.

Në komentet e bëra pas një takimi sot në Bruksel me zyrtarët e lartë evropianë, Presidenti i Serbisë Tadiç, la të kuptohet se për Serbinë është më e rëndësishme e ardhmja e saj evropiane se sa Kosova.

Serbia, tha ai, nuk mund ta pranojë pavarësinbë e Kosovës, por nuk do të krijojë probleme. "Në se më pyesni mua në se ne mund ta pranojmë pavarësinë e Kosovës, përgjigja është jo, ne nuk mund ta pranojmë atë, por ne nuk do të hapim luftë, nuk do të shkaktojmë probleme. Ne synojmë të jemi pjesë e zgjidhjes evropiane. Ne po negociojmë për Kosovën si evropianë. Kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Serbisë në Evropë. Por këtu sot në Bruksel unë po e them hapur atë që është e pranueshme dhe atë që nuk është e pranueshme për ne", tha presidenti Tadiç.

Pas takimit të fundit të 10 marsit, plani për statusin e Kosovës do t'i paraqitet Këshillit të Sigurimit, ku Rusia, një vend me te drejtë vetoje deri tani ka thënë se nuk do të mbështesë një plan që nuk pranohet nga të dyja palët.

Por dudke folur sot në Bruksel, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana tha se Brukseli e mbështet plotësisht planin e zotit Ahtisari. "Pozicioni i Bashkimit Evropian është të mbështesë plotësisht presidentin Ahtisari. Ne mbështesim plotësisht dokumentin që ai ka paraqitur si dhe procesin e negociatave që ka drejtuar ai. Ky është qëndrimi i Bashkimit Evropian", tha zoti Solana.

XS
SM
MD
LG