Ministria greke e Mbrojtjes e dënoi videon ku duken ushtarë grekë duke kënduar marshe anti-shqiptare. Një zëdhënës i ministrisë nxorri një deklaratë ku thuhet se vendi i tij dënon pa mëdyshje incidente të tilla, duke shtuar se vërtetësia e videos ende nuk është konfirmuar.
Në videon e publikuar në Internet shihen ushtarë, me sa duket grekë, që i këndojnë marshet gjatë trainimit. Publikimi i saj u bë shkak për protesta në Shqipëri, ku pati një incident në të cilin u dogj flamuri grek. Zëvendësministri shqiptar i Mbrojtjes, Petrit Karabina u bëri thirrje autoriteteve greke t’u japin fund akteve të tilla të papranueshme dhe skandaloze.//lk