Lidhje

Moratinos: Beogradi dhe Prishtina të shfrytëzojnë mjetet politike


Kryesuesi i radhës së Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Ministër i Jashtëm i Spanjës Migel Angel Moratinos, tha sot se qëndrueshmëria në Ballkan është thelbësore për një Evropë të qëndrueshme.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, pas takimeve me udhëheqësit më të lartë politikë në këtë periudhë, që ai e cilësoi me rëndësi historike për Kosovën. Ndonëse nuk beson se ndërmjet Prishtinës e Beogradit mund të gjendet një zgjidhje për statusin e Kosovës, ai bëri thirrje që të dyja palët të afrojnë qëndrimet e tyre, ndërsa shprehu mbështetjen për propozimin e krye negociatorit ndërkombëtarë për statusin e Kosovës Marti Ahtisari.

“Është me rëndësi që të dyja palët edhe Prishtina edhe Beogradi të bëjnë përpjekje të vazhdueshme me mjete politike e diplomatike dhe të shmanget çdo formë e dhunës për zgjidhjen përfundimtare dhe duhet të shmanget çdo veprim i njëanshëm”,- tha ai, duke shprehur mbështetjen e tij për zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjes së Kosovës dhe integrimit të saj në strukturat e Bashkimit Evropian.

Zoti Moratinos, i cili në Prishtinë erdhi nga Beogradi, me herët gjatë ditës u ka bërë thirrje autoriteteve serbe për një qasje konstruktive në periudhën përfundimtare të negociatave mbi statusin e Kosovës.

Zyrtarët serbë kanë përsëritur kundërshtimin e tyre ndaj çdo forme të pavarësisë së Kosovës. Por diplomati Moratinos i ka hedhur poshtë pohimet se pavarësia e mundshme e Kosovës mund të ndikojë në situatën në Spanjë. Ai u ka thënë bashkëbiseduesve të tij në Beograd se secili rast duhet të kundrohet veças në dritën e rrethanave juridike e historike dhe nuk mund të bëhet kurrfarë krahasimi ndërmjet Kosovës dhe Spanjës.

Ai ka theksuar se për të ruajtur karakterin shumetnik të Kosovës, të gjitha palët, duhet të punojnë për një kompromis. Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë ka misionin më të madh në Kosovë, ndërsa prania e kësaj organizate do të vazhdojë edhe pas zgjidhjes së statusit politik të Kosovës.

Zoti Moratinos, tha se OSBE-ja është e përkushtuar që të luajë rol aktiv në Kosovë për një kohë të gjatë.

"Misioni ynë në Kosovë mund të ketë rol thelbësor në të ardhmen, për monitorimin dhe mbështetjen e zbatimit të statusit, me përqendrim në procesin e decentralizimit të drejtat e komuniteteve dhe trashëgiminë kulturore e fetare."-tha ai.//lk

XS
SM
MD
LG