Gjeneralë, diplomatë dhe politikanë amerikanë dhe rusë po vazhdojnë shkëmbimin e replikave mbi propozimin e Shteteve të Bashkuara për të dislokuar një sistem të ri për mbrojtjen nga raketat në Evropë. Rusët janë të shqetësuar se një sistem i tillë i vë ata në shënjestër. Ndërsa amerikanët druhen se mungesa e një sistemi të tillë do t’i ekspozonte Shtetet e Bashkuara ndaj rrezikut të raketave nga Irani.
Zyrtarët rusë e shohin si kërcënim një sistem të mundshëm amerikan në Poloni dhe Republikën Çeke për mbrojtjen nga raketat. Komandanti i Forcave të Raketave Strategjike Ruse, Gjeneral Nikolai Solovstov bëri këtë javë një paralajmërim të hapur.
“Nëse qeveritë e Polonisë dhe Republikës Çeke marrin një vendim të tillë, megjithëse mendoj se konsultimet reciproke dhe të vazhdueshme duhet të krijojnë kushtet për ta parandaluar, Forcat e Raketave Strategjike do të jenë në gjendje t’i kthejnë këto objekte në objektiva”.
Duke folur në Gjermani të mërkurën, Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs e kritikoi komentin e gjeneralit Solovcov, duke vënë në dukje se sistemi i propozuar ka si synim mbrojtjen nga Irani.
"Mendoj se të gjithë e kuptojnë se me rritjen e kërcënimit nga Irani, që është mjaft i pranishëm, duhet të ketë mënyra për t’i bërë ballë këtij problemi dhe se bëhet fjalë për t’i dhënë vetes kohë që të marrim masat për t’u mbrojtur nga kërcënimet me raketa”.
Polonia dhe Republika Çeke ndodhen direkt përgjatë vijës më të shkurtër mes Iranit dhe Amerikës. Ekspertët thonë se nëse Irani prodhon dhe godet me një raketë drejt Amerikës, dy vendet e Evropës Lindore do të ishin pikë e përkryer për ta goditur raketën në fluturim. Drejtori i Agjencisë amerikane për Mbrojtjen nga Raketat, Gjenerali Henri Obering thotë se i gjithë sistemi do të përbëhej nga dhjetë raketa interceptuese në Evropë, 40 në Alaskë dhe katër në Kaliforni.
“Duhet kohë për ndërtimin e tyre. Do të na duhen 3-4 vjet për të krijuar çdo lloj kapaciteti. Kështu që nuk mundet që në kushtet e sotme të përcaktojmë se ku do ta mbështesim vendimin tonë. Ne duhet të shohim se ç’ndodh sot dhe të parashikojmë se cilat mund të jenë rreziqet për të ardhmen. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për mbrojtjen nga raketat sepse duhet kohë për të krijuar kapacitetin”.
Në prezantimin e tij, Gjenerali Obering vuri në dukje se Irani e ka një arsenal raketash me rreze të shkurtër veprimi dhe paralajmëron se Teherani mund të zhvillojë një kapacitet me rreze të gjatë veprimi, po aq papritur sa edhe Koreja e Veriut. Megjithatë Presidenti rus Vladimir Putin i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po nxisin një garë globale armësh diçka që Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov thotë se Rusia duhet ta shmangë.
“Ajo që po ndodh në botë tani nuk do të thotë se duhet të kemi një variant të ri të Luftës së Ftohtë. Reagimi i Rusisë ndaj rreziqeve të mundshme për sigurinë tonë, do të jetë i balancuar dhe nuk do të lejojë askënd që ta tërheqë në një koflikt të ri dhe në një garë të re armatimesh”.
Zyrtarët amerikanë thonë se Rusia ishte informuar që më parë mbi planet për dislokimin e sistemit dhe se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të diskutojnë me Moskën për këtë çështje. //kk//