Lidhje

SHBA shpreh mbështetjen për një Kosovë që mbron të drejtat e pakicave


Shtetet e Bashkuara shprehën dje edhe një herë mbështetje për përpjekjet e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin përfundimtar të Kosovës, Marti Ahtisari. Zyrtarë të lartë amerikanë thanë se Amerika mbështet një Kosovë që mbron të drejtat e pakicave dhe një Serbi demokratike.

Departamenti amerikan i Shtetit tha dje se mbështet përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin përfundimtar të Kosovës, Marti Ahtisari, dhe planin e paraqitur prej tij.

Në konferencën e rregullt për shtyp, zëvendës-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Casey, tha se Shtetet e Bashkuara duan që puna e filluar me rënien e komunizmit në Evropë të përfundojë.

“Siç e dëgjuat nga Sekretarja Rice në mëngjes në dëshminë e saj në Dhomën e Përfaqësuesve, kjo është çështje e rëndësishme për t’u zgjidhur, pasi Shtetet e Bashkuara duan që puna e filluar me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe rënien e Murit të Berlinit, për të bashkuar Evropën në rrugë paqësore dhe për t’i dhënë fund konflikteve të vjetra që rodhën nga këto ndryshime në skenën politike në vitet 90-të, të përfundojë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me zotin Ahtisari, të inkurajojmë palët që të punojnë me të dhe të ecin para në bazë të planit të tij. Shpresojmë që e gjithë bashkësia ndërkombëtare t’i mbështesë këto përpjekje, pasi ka ardhur koha për zgjidhjen e kësaj çështjeje, për zgjidhjen e saj në të mirën e të gjitha palëve në rajon”.

Në lidhje me qendrimin e Rusisë për statusin e Kosovës, zëdhënësi Casey tha se sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice, e ka diskutuar çështjen me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe se kjo është temë e zakonshme e diskutimeve në takimet e përfaqësuesve të grupit të kontaktit dhe në takimet me partnerët e tjerë.

Sekretarja e Shtetit Rice, duke pranuar vështirësitë në arritjen e një zgjidhjeje, shprehu më parë dje mbështetje për një qeveri të Kosovës, që mbron të drejtat e pakicave, dhe për një Serbi demokratike.

“Po përgatitemi të zbatojmë planin ndërkombëtar të paraqitur nga Marti Ahtisari. Ai po përpiqet të negociojë me partnerët, por mendoj se të gjithë e kuptojnë se do të jetë një rrugë e vështirë, ndërkohë që Kosova fiton një status tjetër krahas Serbisë dhe ne dëshërojmë mjaft të japim mbështetjen tonë për një qeveri të Kosovës, të aftë të mbrojë të drejtat e pakicave dhe të rindërtojë vendin pas një periudhe shumëvjeçare tepër të vështirë dhe luftës, dhe njëkohësisht dëshirojmë sinqerisht një Serbi demokratike, pasi nuk duam që vendi i vetëm që ka mbetur pa përqafuar parimet demokratike të Evropës së bashkuar ta detyrojë Kosovën të ngrihet sërish”.

Sekretarja Rice i bëri këto komente para një nënkomisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të kongresit amerikan. //ic//

XS
SM
MD
LG