Dhjetra mijëra përkrahës të qeverisë libaneze u mblodhën sot në qendër të Bejrutit, me rastin e dy-vjetorit të vrasjes së ish-kryeministrit Rafik Hariri. Njerëzit qëndruan në heshtje, ndërsa binin këmbanat e kishës dhe nga minareja e xhamisë dëgjohej refreni “Allah Akbar”, “Zoti është i madh”, pikërisht në orën 12:55, kur ndodhi shpërthimi ku u vra zoti Hariri. Folësit në miting fajësuan përsëri Sirinë për vrasjen.
Djali i zotit Hariri, Saad, tani udhëheqësi i shumicës parlamentare antisiriane, bëri thirrje për zhvillimin e një gjyqi ndërkombëtar ndaj vrasësve. Siria mohon të ketë patur përgjegjësi për vrasjen. Partitë politike pro-siriane, të udhëhequra nga grupi shiit Hezbollah, nuk e pranuan kërkesën për një gjyq ndërkombëtar.
Që nga muaji dhjetor, përkrahësit e Hezbollahut kanë vazhduar të protestojnë në qendër të Beirutit, me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë pro-perëndimore.
Në një deklaratë që bëri sot, Presidenti Bush ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një “Liban të ri dhe demokratik” dhe për zhvillimin e një gjyqi special, që do t’i nxjerrte para drejtësisë personat që vranë zotin Hariri.//lk