Lidhje

Anderson: Masa e shkarkimit – rast për uljen e tensioneve


Drejtori i projektit të Grupit Ndërkombëtarë të Krizave në Kosovë, Alex Anderson e ka vlerësuar hap shumë të rëndësishëm shkarkimin e komisionarit të policisë së Kombeve të Bashkuara, pas protestave të së shtunës që lanë dy të vrarë dhe dhjetëra të plagosur. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, zoti Andreson tha se ditët e fundit po dëmtohej shumë kredibiliteti i UNMIK-ut me idenë se ndërkombëtarët kishin 100 për qind të drejtë, ndërsa kosovarët 100 për qind gabim.

“Shumë njerëz që nuk pajtoheshin me Albin Kurtin dhe idetë e tij, ishin shumë të zemëruar para së gjithash me aksionin e policisë të shtunën, dhe pastaj me përgjigjen e UNMIK-ut dhe komunitetit ndërkombëtarë që po vinin një mur burokratik kundrejt dëshirave të njerëzve për të parë një drejtpeshim dhe drejtësi. Prandaj kjo lëvizje e sotme e UNMIK-t ka bërë diçka për të ulur tensionet".

Zoti Anderson tha se ky vendim ndryshon gjërat edhe rreth hetimit që po zhvillohet rreth ngjarjeve të së shtunës.

"Deri sot hetimet do të bëheshin në një kontekst tjetër në të cilin komisionari i policisë, i cili ka planifikuar operacionin e së shtunës, do të drejtonte ata që kryenin hetimet. Do të kishim një kontekst në të cilin zyrtarët e lartë ndërkombëtarë do të ngulnin këmbë se operacioni i policisë ishte korrekt. Tani kemi një kontekst tjetër dhe veprimi i sotëm krijon hapësirë për rezultate më të drejta", tha zoti Anderson duke e cilësuar si të zbehtë reagimin fillestar të udhëheqësve politikë të Kosovës ndaj ngjarjeve të së shtunës.

“Për fat të keq që nga e shtuna kemi parë një shkallë të fragmentarizmit të politikanëve të Kosovës, pjesërisht uniteti i tyre është thyer për shkak të këmbënguljes ndërkombëtare se faji është në anën e Kosovës. Ka pasur edhe fjalë të rënda ndërmjet Hashim Thacit dhe Daut Haradinajt por edhe ndërkombëtarëve dhe do të ketë nevojë për riparim të marrëdhënieve”.

Por zoti Andreson tha se faktet nuk mund të ndryshohen dhe duhen shfrytëzuar mundësitë e krijuara nga dorëheqja e komisionarit të policisë dhe ajo e ministrit të punëve të brendshme, Fatmir Rexhepi për të filluar rindërtimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve, qeverisë, UNMIK-ut, policisë së Kombeve të Bashkuara dhe Shërbimit Policor meqë ato janë dëmtuar dhe ka vend për ndryshime, mbase edhe në strukturat e Shërbimit Policor të Kosovës.

Ngjarjet e së shtunës nuk ndihmojnë në procesin politikë, theksoi ai, duke nënvizuar se njerëzit kanë mëdyshje rreth disa pjesëve të propozimit të kryenegocioatorit ndërkombëtar Marti Ahtisari për statusin e Kosovës dhe mund të vështirësohet negocimi i tyre.

“Kujtimet e së shtunës do të ndikojnë që udhëheqësit e Kosovës të jenë më nervoz rreth afatit të zgjidhjes së statusit dhe kjo është shqetësuese sepse këtu besohet se statusi do të zgjidhet deri në muajin prill dhe kjo është tepër optimiste. Po të kihet parasysh dinamika e Këshillit të Sigurimit dhe posaçërisht pozita e Rusisë, e tëra mund të zgjasë deri në verë. Shoqëria e Kosovës dhe udhëheqësit e saj duhet të jenë të përgatitur për këtë. Ngjarjet si ato të së shtunës vështirësojnë negociatat dhe krijojnë nervozizëm tek njerëzit”.

Në përfundim zoti Andreson vuri në dukje se “propozimi ofron shumë për Kosovën, prandaj disa muaj më shumë nuk është çështja e madhe kundruall historisë dhe vuajtjeve të qytetarëve të Kosovës”. //ze//

XS
SM
MD
LG