Lidhje

SHBA: Gara presidenciale fillon herët me një numër rekord kandidatësh


Numri i kandidatëve për president për vitin 2008 po shtohet: ish-guvernatori i shtetit Arkansa Mike Huckabee ka ndërmarrë hapat e para për emërimin republikan, ndërsa senatori Joe Biden ka hyrë zyrtarisht në garën e demokratëve.

Në krye të kandidatëve demokratë në garë është senatorja e Nju Jorkut Hillari Klinton. Ditët e fundit ajo bëri vizitën e parë si kandidate në shtetin e Iowa-s ku gara fillon shpejt.

“E di që ka njerëz që ose thonë, ose mendojnë: a do të zgjidhet ndonjëherë ndonjë grua presidente. Unë mendoj që këtë nuk do ta marrim vesh derisa ta provojmë. Unë do të përpiqem dhe me ndihmën tuaj, besoj se do t’ia dalim”.

Senatores Klinton i është kërkuar që të mbrojë votën e saj në favor të luftës në Irak në vitin 2002, një luftë që shumica e demokratëve e shohin tani si të gabuar.

John Harris është kryeredaktor i faqes së re të internetit Politico që ka në qendër politikën amerikane. Ai foli në televizionin CBS.

“Ajo po fiton shumë publicitet nga Iraku por jo gjithmonë pozitiv. Ajo e ka bërë të qartë se është kundër shtimit të trupave propozuar nga Presidenti Bush, por shumë aktivistë në partinë e saj do të donin që ajo të ishte më e prerë dhe më agresive në qëndrimin e saj kundër luftës”.

Konferencat e partive në shtetin Iowa do të shënojnë pas një viti fillimin e përzgjedhjes për fushatën presidenciale të vitin 2008. Kandidatët nga dy partitë kryesore do të shkojnë shpesh atje gjatë muajve të ardhshëm, ashtu si edhe në shtete të tjera si New Hampshire ku do të mbahen votimet e para paraprake brenda partive.

Tani për tani, gara mes demokratëve duket se po merr formën e një beteje mes senatorëve Klinton dhe Barak Obama, i vetmi afrikano-amerikan në senat.

Edhe zoti Obama e shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij më 10 shkurt. Në kuadër të fushatës së tij, ai propozoi kohët e fundit zgjerimin e sigurimeve shëndetësore në mënyrë që të gjithë amerikanët të kenë kujdes shëndetësor.

“Amerika nuk mund ta përballojë më indiferencën. Nuk është në natyrën e vendit tonë, apo popullit tonë. Asnjëherë nuk ka ndodhur kështu në marshimin e vendit tonë drejt përparimit”.

Senatori Obama është në mandatin e tij të parë në Senat dhe disa ekspertë kanë shprehur dyshime nëse përvoja e tij është e mjaftueshme për të qenë president. Larry Sabato drejton Qendrën për Politikë në Universitetin e Virginias.

“Çështja e përvojës mund të interpretohet në disa mënyra. Nga njëra anë, njerëzit mund ta konsiderojnë Obamën si shumë pa përvojë për të pasur pushtetin e madh të presidencës. Nga ana tjetër, kur je në garë për një post mund të jetë më mirë të kesh pak përvojë se nuk ka material për të sulmuar politikisht”.

Disa demokratë të tjerë po shpresojnë që ta përmbysin idenë se gara është mes senatorëve Klinton dhe Obama.

Ish-senatori i Karolinës së Veriut John Edwards është i pari mes demokratëve në disa anketa në Iowa dhe senatorë me përvojë si Joe Biden nga Delaware dhe Chris Dodd i Konektikatit shpresojnë gjithashtu që të tërheqin publikun.

Përveç tyre, në garë kanë hyrë edhe guvernatori i New Mexico-s Bill Richardson si edhe ish-guvernatori i Iowa-s Tom Vilsack si edhe anëtari i Kongresit Dennis Kucinich.

Ndërkohë senatori John Kerry, kandidati demokrat që humbi në vitin 2004 ndaj Presidentit Bush, deklaroi se nuk do të futet në garë. Ai tha se do ta përqendrojë vëmendjen tek rizgjedhja në Senat.

Megjithë numrin e konsiderueshëm të kandidatëve demokratë, ekspertë si Stephen Hess i Institutit Brookings thonë se do të jetë e vështirë për të tjerët që të kapërcejnë vëmendjen që media po u kushton senatorëve Klinton dhe Obama.

“Me hyrjen e Obamës në skenë kjo bëhet një garë mes Hillari Klintonit dhe Barak Obamës dhe kështu do të pasqyrohet fushata prandaj shumë nga kandidatët e tjerë që janë mjaft të mirë nuk do të kenë shumë hapësirë. Ata do të presin shansin, pra nëse ndonjëri prej këtyre dy kandidatëve hedh ndonjë hap të gabuar”.

Edhe numri i republikanëve në garë po rritet. Përveç ish-guvernatorit Huckabee, figura të tjera që kanë ndërmarrë hapa për të kandiduar në 2008-ën janë senatori i Arizonës John McCain, ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Rudy Giuliani, ish-guvernatori i shtetit Masaçusets Mitt Romney, ish-guvernatori i Virginias Jim Gilmore dhe ish-Guvernatori i Uiskonsit Tommy Thompson.

Po ashtu, senatori i Kansasit Sam Brownback dhe kongresmenët Duncan Hunter i Kalifornisë dhe Tom Tancredo i Kolorados kanë shprehur synimin e tyre për të qenë kandidatë të Partisë Republikane. //kk//

XS
SM
MD
LG