Lidhje

Kosovë: Homazhe për dy protestuesit që vdiqën nga plagët


Mijëra qirinj janë ndezur sonte në qendër të Prishtinës, në shenjë nderimi për dy nga protestuesit e plagosur në protesta e djeshme të cilët kanë vdekur nga pasojat e plagëve të marra. Qytetarë të Prishtinës dhe veprimtarë të lëvizjes “Vetëvendosja”, një lëvizje e cila kundërshton bisedimet për statusin e Kosovës, bënë homazhe në vendin ku dje mijëra protestues u përplasën me policinë ndërsa po demonstronin kundër propozimit për statusin e Kosovës që është hartuar nga kryenegociatori ndërkombëtar Martti Ahtisaari.

Policia e Kombeve të Bashkuara përdori gazin lotsjellës, plumbat e kauçukut dhe shkopinjtë e gomës për të shpërndarë mijëra veta që po protestonin dje në qendër të Prishtinës. Rreth 80 veta kanë pësuar plagë gjatë protestave, ndërsa dy prej tyre kanë vdekur. Një tjetër vazhdon të jetë në gjendje të rëndë në spitalin e Prishtinës. Lëvizja Vetëvendosje, e cila ishte organizatore e protestave e ka akuzuar policinë për ushtrim të pakontrolluar të dhunës. Ndërkaq Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e ka cilësuar ndërhyrjen e djeshme si shkelje të të drejtave të njeriut.

Komisionari i policisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Stephen Curtis, duke shprehur keqardhjen e tij për humbjen e jetëve, nëpërmjet një komunikate për opinion tha se demonstruesit e kanë detyruar policinë që të ndërmarrë masa për rivënien e rendit, ndërsa ka nënvizuar se cdo humbje jete është e dhembshme. Ai ka bërë thirrje që inspektorati i policisë së Kosovës të ndërmarrë hetime të pavarura lidhur me ngjarjet e djeshme. Kryeministri i Kosovës Agim Çeku ka kërkuar po ashtu hetime të pavarura, ndërsa ka anuluar udhëtimin e tij për në Kinë, për shkak të gjendjes së krijuar pas protestave të djeshme.

Edhe zyrtarët e forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja u kanë shprehur ngushëllime familjeve të të vrarëve duke theksuar një hetim është duke u bërë për të përcaktuar saktësisht rrethanat që çuan në vdekjen e tyre. Zyrtarë të KFOR-it thanë se kanë mbështetur dje policinë e UNMIK-ut për të vendosur rendin. Në një komunikatë të forcave paqeruajtëse thuhet se KFOR-i vazhdimisht ka deklaruar se do të reagojë shpejt dhe me vendosmëri ndaj çdo lloj të dhunës. Përderisa është e qartë se secili ka të drejtë të protestojë në një shoqëri demokratike, askush nuk ka të drejtë të iniciojë akte të dhunës.

Fatkeqësisht, dje disa nga protestuesit kanë vendosur të kalojnë vijën e paqes në dhunë, thuhet në njoftimin e KFOR-it në të cilin dënohet, siç thuhet, dhuna e nisur nga disa protestues të papërgjegjshëm dhe ri konfirmohet përkushtimi tonë për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Shefat e zyrave të vendeve të Grupit të Kontaktit në Prishtinë kanë shprehur pikëllimin e tyre për vdekjen e dy qytetarëve dhe u kanë shprehur ngushëllime familjeve të tyre. Pas një mbledhjeje të mbajtur në orët e mbrëmjes në Prishtinë, shefat e zyrave të këtij grupi janë shprehur të dëshpëruar që protesta vuri në rrezik sigurinë në Kosovë. Ata thanë se nuk k asnjë arsye për përdorimin e dhunës si mjet për qëllime politike. Grup i Kontaktit u ka shprehur mbështetje të plotë institucionet e Kosovës dhe ka mbështetu hetimet e pavarura për zhvillimet e djeshme.

Ekipi i negociuesve të Prishtinës për statusin e Kosovës pas një takimi të jashtëzakonshëm, siç thuhet në një komunikatë për opinion, analizoi gjendjen e krijuar me protestat e dhunshme të nxitura nga Albin Kurti dhe lëvizja "Vetëvendosje", ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, duke krijuar tensione të veçanta, të cilat shkojnë kundër stabilitetit dhe interesave të përgjithshme të Kosovës. Më tej në komunikatë ekipi u shpreh ngushëllime familjeve të personave që kanë humbur jetën.

Ekipi i Unitetit thërret qytetarët e Kosovës që të kontribuojnë, sikur edhe deri tash, për stabilitetin e vendit. Ai konstaton se dhuna e orientuar kundër institucioneve dhe prishja e rendit dhe e qetësisë publike, duke thyer ligjin është e papranueshme. Ngjarjet sikur kjo e djeshmja mund të lënë pasoja negative në procesin e shtet formimit të Kosovës, thuhet në komunikatën e ekipit të negociuesve nëpërmjet së cilës u bëhet thirrje institucioneve përgjegjëse që urgjentisht të hetojnë gjithë këtë zhvillim dhe të japin shpjegime për rrjedhat e tij në afat sa më të shkurtër, para qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është takuar ne mbledhje të jashtëzakonshme në orët e mbrëmjes për të vlerësuar gjendjen e krijuar në vend dhe ka bërë thirrje kundër çdo forme të dhunës në Kosovë.

Keqardhjen e tyre për ngjarjet e djeshme e kanë shprehur edhe partitë politike në Kosovë, të cilat I kanë siguruar qytetarët e Kosovës se propozimi I zotit Ahtisaari e çon Kosovën drejt pavarësimit të saj. Ato kanë bërë thirrje për qetësi dhe bashkim të të gjithë qytetarëve në këtë periudhë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

Protestat e djeshme ishin më të dhunshmet pas atyre të marsit të vitit 2004. Shqetësimet për sigurinë janë shtuar me afrimin e fundit të procesit të bisedimeve për statusin, vazhdimi i të cilave pritet më 21 shkurt në Vjenë të Austrisë //kk//

XS
SM
MD
LG