Lidhje

Portret i kandidatit demokrat Barak Obama


Të shtunën, Senatori Barak Obama do të shpallë zyrtarisht kandidaturën si kandidat i Partisë Demokrate për garën presidenciale të 2008-s. Përkrahësit e tij besojnë se ai është kandidati më i mirë për të tërhequr votat në një vend me një larmi gjithnjë e më të madhe kulturash.

Në janar Barak Obama deklaroi se po paraqiste kërkesën zyrtare për garën presidenciale, hapi i parë për të hyrë në këtë garë: "Do të bisedoj me njerëzit në këtë vend, do të dëgjoj e mësoj më shumë për sfidat me të cilat ndeshemi si komb, mundësitë që na dalin përpara dhe rolin që mund të luajë një fushatë presidenciale për të bashkuar vendin".

Provoi së pari terrenin dhe më pas vjen shpallja zyrtare e kandidaturës: senatori nga shtetit Ilinoi deklaron haptazi synimet e tij për të konkuruar për President i Shteteve të Bashkuara. Mesazhi i tij, karizma dhe përvoja vetjake kanë grumbulluar shumë pasues. Anketat tregojnë se ai është një ndër pretendentët kryesorë për të marrë kandidaturën e Partisë Demokrate, si konkurenti demokrat në zgjedhjet e 2008-s.

Obama lindi në Havai, nga një nënë e bardhë dhe një baba kenian. Pas ndarjes së prindërve, Obama, i cili në fëmijëri njihej si Barry, shkoi të jetonte në Indonezi me nënën dhe njerkun. Akmad Solikhin është zëvendës-drejtor i shkollës që ndoqi në fëmijëri Obama: "Barry ndoqi mësimet këtu nga klasa e tretë deri në klasë të pestë, më pas u kthye në Shtetet e Bashkuara".

Samani, i cili si shumë indonezianë prezantohet vetëm me një emër, punonte për njerkun e Obamës për të çuar e marrë djalin nga shkolla: "Ai ishte djalë shumë i zgjuar, pasi ndiqte dy shkolla njëkohësisht. Ai ndiqte Shkollën Besuki dhe merrte mësime me korrespondencë nga Shtetet e Bashkuara".

Obama u kthye në Havai në moshën 10 vjeçare dhe vlerëson përvojën e tij në fëmijëri për pikëpamjet e tij për kombin dhe botën. Barak Obama u zgjodh në Senatin amerikan në vitin 2004 dhe është aktualisht i vetmi senator amerikan.

Politikani 45-vjeçar ka pasur një ngjitje meteorike në sytë e kombit. Ai ishte thuajse i panjohur kur tërhoqi vëmendjen me fjalimin e tij në Kuvendin e Partisë Demokrate në vitin 2004, ku foli për trashëgiminë e tij afrikane. "Prindërit e mi më pagëzuan me një emër afrikan – Barak, apo Bekim, me bindjen se në një Amerikë tolerante nuk ka pengesë për sukses".

Shumë analistë mendojnë se mbështetja e fortë publike për Obamën në anketa pasqyron si ndryshimet në atmosferën politike të vendit, ashtu edhe ndryshimet në gardën politike që ka dalë nga radhët e afrikano-amerikanëve.

Deri kohët e fundit, shumë politikanë afrikano-amerikanë e fillonin karrierën e tyre duke luftuar padrejtësitë racore në lëvizjen për të drejta civile. Por sot, të tjerë si Obama, kanë diploma nga universitete prestigjioze dhe kanë përvojë pune si avokatë dhe ligjvënës. Pavarësisht nga trashëgimia e tij afrikane, anketat tregojnë se Omaba mund ta ketë të vështirë të tërheqë votën e afrikano-amerikanëve.

Një anketë e fundit e rrjetit ABC dhe gazetës Washington Post, tregon se ai renditet pas senatores demokrate Hillary Rodham Klinton në mbështetjen nga afrikano-amerikanët. Por lobisti Anton Gunn mendon se kampit të Obamës do t’i shtohen shumë votues zezakë me kalimin e kohës: "Fakti është se ai po e fillon fushatën për Shtëpinë e Bardhë me një qëndrim më pranë qendrës politike se Jesse James, Shirley Chissom, apo Carol Mosley Braun. Pra ai ndodhet në qendër të spektrit politik nga ku po e fillon fushatën, dhe jo të fillojë thjesht me mbështetjen e afrikano-amerikanëve dhe pastaj të kalojë në qendër. Kjo mendoj se do ta ndihmojë shumë".

Të njëjtin mendim ka ligjvënësi Charles Rangel. "Kandidimi i një afrikano-amerikani sjell një farë krenarie racore, mendoj të ngjashme me atë që kanë ndjerë irlandezët kur Xhek Kenedi ishte kandidat". Në të kaluarën, kandidatët afrikano-amerikanë në garat presidenciale e shfrytëzonin vëmendjen publike për të theksuar tema të rëndësishme për to, por asnjëherë nuk janë konsideruar si kanddatë me shanse reale. Në rastin e Barak Obamës, thonë analistët, ai jo vetëm që është një kandidat serioz, por fare mirë mund të bëhet President i Shteteve të Bashkuara. //rd//

XS
SM
MD
LG