Lidhje

Solana: Prishtina po fillon të shkruajë një tjetër faqe historie


Shefi i politikes së jashtme të Bashkimit Evropian, Javier Solana, u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen në konsultimet rreth propozimit të kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin e Kosovës Marti Ahtisari. Zoti Solana, i cili fillimisht ishte për një vizitë në Prishtinë, para se të shkonte në Beograd, ka theksuar se procesi është në duart e zotit Ahtisari, por një shtyrje disa ditëshe e bisedimeve nuk do ta dëmtonte procesin. Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të fillojnë më 13 shkurt, por duket se sërish do të ketë një shtyrje.

Tashmë është pothuajse e sigurt që bisedimet e reja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbi propozimin e krye negociatorit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari nuk do të fillojnë para 21 shkurtit.

Ndonëse, ishte paralajmëruar se kjo do të ndodhë më 13 shkurt, Beogradi nuk është shprehur i gatshëm të marrë pjesë në to, meqë siç thuhet, ende nuk është mbledhur Parlamenti i ri e as nuk është ngritur qeveria që duhet të dalë nga zgjedhjet e 21 janarit në Serbi, për shkak të të cilave vitin e kaluar qe shtyrë edhe publikimi i propozimit për statusin e Kosovës.

Zyrtarë të lartë Evropianë kanë shfaqur bindjen se një shtyrje e shkurtër e bisedimeve nuk do ta dëmtojë procesin politik. Komisionari i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë i Bashkimit Evropian, Havier Solana, tha sot në Prishtinë se kjo është çështje që duhet të vendoset nga zoti Ahtisari, i cili ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian…

“Ajo që dua të shoh, është angazhimi i të dyja palëve, Prishtinës dhe Beogradit,"- tha zoti Solana, duke nënvizuar se "përgjegjësia për të drejtuar këtë proces është në duart e zotit Ahtisaari”.

Megjithatë, ai gjatë ditës ka theksuar se “një shtyrje njëjavëshe nuk do të rrezikonte procesin”. Ai tha se Prishtina “po fillon të shkruajë faqen e fundit te një periudhe të historisë dhe po fillon një tjetër".

"Bashkimi Evropian mbështet fuqishëm propozimin e zotit Ahtisari dhe do ta ndihmojë atë që të përmbyllë këtë proces, ndërsa institucionet dhe qytetarët e Kosovës duhet të jenë të përgjegjshëm në këtë periudhë”, -tha ai.

Kjo përgjegjësi, sipas tij, duhet të dëshmohet në sjelljen, përkushtimin dhe punën e madhe që duhet të bëhet në këtë kohë.

"Qytetarët dhe udhëheqësit e Kosovës duhet të respektojnë marrëveshjen që do të nënshkruhet së shpejti, të respektojnë pakicat dhe të drejtat e njeriut dhe të punojnë për të ecur përpara drejt ardhmërisë që ofron Bashkimi Evropian",- tha zoti Solana, duke nënvizuar se "Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të punojë me Kosovën dhe të jetë i angazhuar ekonomikisht, politikisht, në ndërtimin e institucioneve dhe në fushën e sigurisë."

Prishtina zyrtare thotë se nuk di për ndonjë shtyrje, ndërsa shprehet e gatshme të fillojë konsultimet e reja sipas ftesës së zotit Ahtisari, propozimin e të cilit udhëheqësit e saj politikë e kanë vlerësuar pozitivisht.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se mbështetja ndërkombëtare do të përshpejtojë përmbylljen e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës…

“Ne presim që pikërisht kjo mbështetje të ndikojë fuqishëm që ky proces të kryhet shumë shpejt, që të arrijmë objektivin tonë që e kemi të qartë, pavarësimin dhe bërjen e Kosovës si një shtet i të gjithë qytetarëve të saj me garancitë e rëndësishme dhe standardeve më të larta edhe për etnitë pakicë, që janë pjesë e larmisë së Kosovës, dhe një përgjegjësi të fokusuar të shumicës”, tha presidenti Sejdiu.

Propozimi i zotit Ahtisari është kundërshtuar sot sërish nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Pas takimit me zotin Solana, drejtuesi i Listës serbe për Kosovën e Metohinë, siç quhet subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, tha se mos përmendja e tërësisë tokësore të Serbisë dhe e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i bën serbët të pasigurt juridikisht, politikisht dhe fizikisht…

“Normalisht kemi përsëritur se komuniteti serb është i rrezikuar dhe kjo çështje duhet të theksohet në marrëveshjen që ofron zoti Ahtisaari dhe posaçërisht në ndonjë rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit”, -tha Oliver Ivanoviq.

Të premten në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është paralajmëruar një protestë kundër propozimit të zotit Ahtisari, kundër të cilit pritet që të shtunën të protestohet edhe në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje, një lëvizje që kundërshton negociatat për statusin e Kosovës e ka cilësuar si të pa pa pranueshëm propozimin e zotit Ahtisari, megjithë vlerësimet e udhëheqësve politikë të Kosovës se ky propozim hap rrugën për pavarësinë e saj.//lk

XS
SM
MD
LG