Lidhje

SHBA: Ligjvënësit kërkojnë informacione për shpenzimet në Irak


Pentagoni njofton se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar deri tani mbi 275 miliardë dollarë për luftën në Irak gjatë katër viteve të fundit dhe se deri në vitin 2009 kjo shifër do të jetë më shumë se dy herë më e lartë. Presidenti Bush i ka kërkuar Kongresit që ta mbështesë kërkesën e tij për buxhetin për këtë vit dhe më tej. Megjithatë ligjvënësit po kërkojnë informacione të hollësishme për shpenzimet e kaluara, përfshirë një rast kur administrata vendosi të dërgonte në Bagdat me avion pako me para 100 dollarëshe për të përballuar shpenzimet emergjente të atjeshme.

Dhuna e përditshme vazhdon në një luftë që ka filluar prej afro katër vjetësh. Po sa është kostoja e mbajtjes së trupave amerikane në Irak? Këtë pyetje e shtroi Komisioni i Senatit për Shërbimet e Armatosura dhe Senatori Robert Bërd i Virxhinias Perëndimore. Ja si përgjigjet zyrtarja e Pentagonit, Tina Xhonas:

“372 miliardë dollarë, nga të cilat 276 miliardë janë për Irakun”.

Presidenti Bush po kërkon këtë vit 93 miliardë dollarë më shumë për këtë vit dhe të hënën ai propozoi një buxhet ku kërkon 141 miliardë dollarë të tjera për vitin e ardhshëm dhe 50 miliardë për vitin 2009. Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikqyrje dhe Çështje qeveritare e ktheu vëmendjen tek fillimi i ndërhyrjes.

Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit i drejtuar nga Pol Bremer i transferoi në atë kohë fonde direkt ministrive të sapokrijuara irakiane. Kryetari i Komisionit, Henri Weksman, tha se 12 miliardë dollarë ishin tërhequr nga rezerva federale.

“Këto para në prerje 100 dollarëshe, u paketuan, gjithsej mbi mbi 60 milion dollarë, dhe u dërguan me avion në Irak”,- tha ai.

Zoti Bremer, administrator i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit i tha komisionit në qershor 2003 se po përballej me një situatë të dëshpëruar dhe kaotike dhe punonjës të administratës që kishin muaj pa u paguar.

“Ne i përdorëm fondet e Irakut, për të cilat po diskutojmë sot, për të paguar irakianët me shpejtësi”,- tha Bremer.

Paratë që vinin nga nafta e vetë Irakut iu kaluan ministrive irakiane për të paguar shpenzimet e rindërtimit, si ato të shkollave për shembull si dhe për të mbuluar koston e mbajtjes së qeverisë. Republikani Xhon Mica duke mbajtur në duar para irakiane, që ai i quajti të zhvlerësuara, e mbrojti zotin Bremer.

“Ata nuk kishin as sistem financash, as para, as banka. Askush nuk i administronte ato. Prandaj ne na u desh të përdornim para në dorë”, -tha ai.

Inspektori i Posaçëm, Stuart Bauen, arriti në përfundimin se Autoriteti i Koalicionit e dinte se si ishin shpenzuar paratë.

“Revizorët tanë arritën në përfundimin se Autoriteti i Koalicionit duhet të kishte kërkuar më shumë nga ministritë”- tha ai.

Zoti Bremer u përgjigj, duke thënë se ajo që pretendonte inspektori i përgjithshëm ishte e tepërt në një kohë lufte.

“Këtu thjesht kemi mendime të ndryshme. Nga ky raport del se ne duhet të kishim qenë në gjendje të impononim sisteme moderne financiare në ministritë e Irakut. Përfundimi ynë ishte se për të plotësuar detyrimin për transparencë, Autoriteti i Koalicionit duhet të kishte bërë një farë raportimi”, - tha ai.

Ndërsa anëtarja demokrate e Kongresit, Diane Uotson u shpreh:

“Nuk kemi dokumenta? Mendoj se kjo është e papranueshme në një kohë kur po kërkojmë rritjen e numrit të trupave dhe po kërkojmë të shpenzohen qindra miliarda dollarë”.

Në Komisionin e Senatit, Sekretari i Mbrojtjes Robert Gates nuk dha afat për kthimin e trupave amerikane, apo se kur do të përfundonin shpenzimet për Irakun. //lk

XS
SM
MD
LG