Lidhje

Përpjekjet amerikane për t’i prerë rrugën ndërhyrjes iraniane në Irak


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts thotë se vendimi i muajit të kaluar për të dërguar një tjetër kryqëzor në Gjirin Persik nuk nënkupton se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë t’i hapin luftë Iranit. Megjithatë, tha Sekretari Gejts, përforcimi i pranisë ushtarake thekson mesazhin dërguar kundërshtarëve të mundshëm se rajoni i Gjirit është me rëndësi jetike për Shtetet e Bashkuara. Deklarata e zotit Gejts bëhet ndërkohë që një raport i ri i shërbimeve të zbulimit paralajmëron se gjendja në Irak mund të keqësohet nëse nuk ndërmerren masa për të ndalur dhunën.

I shoqëruar nga ushtaraku më i lartë amerikan, Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts tha në një konferencë shtypi se Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me Iranin, por me rrjetet iraniane që furnizojnë terroristët me eksplozivë për t’i përdorur në Irak: "Përpjekjet tona në Irak janë përqëndruar në operacione për t’iu kundërvënë ndërhyrjes iraniane, në veçanti përfshirjes së tyre në furnizimin e ektremistëve me lëndë plasëse që vrasin trupat tona. Por përpiqemi gjithashtu t’i detyrojmë të ndalin pasurimin e materialit bërthamor," tha zoti Gejts.

Administrata e Presidentit Bush ka shtuar trysninë ndaj Teheranit si rrjedhojë e kundërshtimit të tij për të ndalur programin e tij bërthamor. Gjenerali Piter Pejs, Shefi i Shtatmadhorisë, e akuzoi Iranin se po furnizon me mjete plasëse dhe po stërvit ekstremistët në Irak. Ai tha se bastisjet e fundit kanë çuar në kapjen e 2 shtetasve iranianë. "Mendoj se arsyeja përse po përmendet më shumë ndyrhyrja e Iranit është siç e thashë 2 herë gjatë afro një muaji, në përpjekjet për të asgjësuar rrjetet terroriste, kemi kapur shtetas iranianë. Prandaj edhe kjo temë ka dalë më shpesh kohët e fundit, pasi ata janë kapur në mes të elementëve keqbërës," tha gjenerali.

Ndërkaq, një fragment i bërë publik nga një raport i ri i shërbimeve të zbulimit paralajmëron se gjendja në Irak mund të keqësohet nëse Shtetet e Bashkuara nuk marrin menjëherë masa. Raporti i zbulimit arrin gjithashtu në përfundimin se disa elementë të dhunës në Irak mund të cilësohen si luftë civile. Shtëpia e Bardhë këmbëngul se ky term nuk është i përshtatshëm për gjendjen në Irak.

Sekretari Gejts pohon se termi “luftë civile” e thjeshtëson së tepërmi situatën e ndërlikuar që ekziston: "Mendoj se aktualisht në Irak vazhdojnë katër konflikte të ndryshme. Njëri është shiitë kundër shiitëve, që është përqëndruar kryesisht në jug. I dyti është konflikti sektar, kryesisht në Bagdat, por edhe më gjerë. I treti është kryengritja e ekstremistëve dhe konflikti i katërt janë operacionet e al-Kaidës," tha Sekretari i Mbrojtjes.

Rarpoti i shërbimeve të zbulimit thekson se megjithëse al-Kaida vazhdon të veprojë në Irak, veprimet e këtij grupi janë tejkaluar nga dhuna e brendshme. Raporti shton se kaosi mund të përfshijë vendin nëse qeveria irakiane dështon, duke çuar në një ndarje të Irakut në disa pjesë në konflikt me njëra-tjetrën. //ad//

XS
SM
MD
LG