Lidhje

Presidenti Moisiu përshendet propozimin e z.Ahtisari


Presidenti shqiptar Alfred Moisiu e cilësoi sot paketën e propozuar dje në Prishtinë nga kryenegociatori Marti Ahtisaari si një dokument kompromisi për përballimin e realiteteve të reja në hapsirën ballkanike dhe që shënon një hap vendimtar në fazën përfundimtare të përpjekjeve dhe angazhimit serioz të Bashkësisë Ndërkombëtare për një zgjidhje realiste e të qëndrueshme të çështjes së Kosovës.

Kreu i shtetit shqiptar i cili gjithnjë ka vlerësuar se pavarësia është zgjidhja e pashmangshme për Kosovën dhe stabilitein në rajon shprehet se dokumenti Ahtisaari, do të shënohet si një rast i shkëlqyer kur diplomacia ndërkombëtare, edhe pse përballë palëve me qëndrime shumë të ndryshme, arriti të prodhojë një dokument që do ta bëjë të mundur mbylljen e një kapitulli të vështirë të historisë së trazuar të Ballkanit.

Po sot edhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama vlerësoi punën e grupit negociator të zotit Ahtisaari lidhur me të ardhmen e Kosovës. Ai deklaroi se është i bindur se opinioni publik kosovar, klasa politike kosovare dhe udhëheqësit kosovar janë plotësisht të përgatitur për të qenë mëshirim i largpamësisë dhe durimit në këtë fazë historike për Kosovën, Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen. Zoti Rama shtoi se edhe klasa politike dhe partitë në Shqipëri, të përfshira në procesin zgjedhor duhet të jenë në lartësinë e duhur në këtë moment kaq të rëndësishëm për Kosovën duke ulur agresivitetin elektoral, duke qëndruar larg tensioneve dhe konflikteve, në mënyrë që opinioni ndërkombëtarë të shohë te shqiptarët në të dy anët e kufirit, maturi, durim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie politike.//rd//

XS
SM
MD
LG