Lidhje

Del ne shitje Programi "Vista" i Mikrosoftit


Programi i ri Vista i Mikrosoftit ka filluar të përdoret nga bizneset që nga muaji nëntor ndërsa tani, ky program i shumëpritur që është një përmirësim i Uindous XP do të mund të përdoret edhe nga publiku i gjerë pas një pritjeje 5-vjeçare. Data zyrtare e vënies në qarkullim ishte sot dhe dyqanet nuk humbën kohë. Shumë prej tyre u hapën që mbrëmë në mesnatë për të qenë të parët që shisnin sistemin e ri të operimit.

U deshën plot pesë vjet. Por pas disa vonesash që kishin të bënin me sigurimin kompjuterik dhe pas 7 miliard dollarësh që u deshën për krijimin e tij, Windows Vista doli sot në shitje për publikun. Xhim Allin, shef i sektorit të platformave dhe shërbimeve pranë Mikrosoftit, thotë se sistemi i ri i operimit vendos standarde të larta për një epokë të re në shkencën kompjuterike.

"Windows Vista është sistemi më i rëndësishëm i operimit që kemi nxjerrë në shitje dhe besoj se një nga produktet më të rëndësishme teknologjike të krijuara ndonjëherë"-, tha ai.

Allin thotë se Vista do t’i bëjë kompjuterat më të sigurt, më të fuqishëm dhe dinamikë nga pikpamja grafike. Në kushtet kur 90 përqind e kompjuterave të botës përdorin sistemin Uindows, tregu i Vistës është gjigand.

"Për ne si shitës, ky është një moment gëzimi, një moment që e kemi pritur për shumë kohë dhe mezi prisnim që të fillonim shitjen," thotë Abbey Giua, në një dyqan të Virxhinias të quajtur Microcenter.

Abbey thotë se shitja e Vistës është një zgjatim i sezonit të suksesshëm të festave. Duke përdorur të njëjtën taktikë reklamimi si në rastin e shitjes së videolojrave vitin e kaluar, dyqane si CompUSA, Best Buy dhe Microcenter, ishin bërë gati qysh në orën 12 të natës.

Dyqanet e shitjeve thonë se për të arritur fitime maksimale, ata kanë shpenzuar shumë kohë dhe para për trainimin e stafeve të tyre lidhur me karakteristikat e reja të Vistës, të cilat sipas Abbey-t, nuk janë thjesht elementë sipërfaqësorë.

”Fjala është për mjete të reja që i shtohen programit, si kërkimi i menjëhershëm, pra përdoruesi nuk ka pse kërkon gjithandej në kompjuterin e tij kur i duhet diçka. Edhe konceptimi grafik përbën një sukses dhe është mjaft joshës."- thotë ai.

Dyqanet e shitjes kanë premtuar t’i ulin ndjeshëm çmimet, për të tërhequr sa më shumë blerës. Ata konkurrojnë direkt me vetë Mikrosoftin, i cili po e shet Vistën me anë të Internetit.

Kompania Dell Kompjuters, e cila filloi të marrë porosi për kompjutera të instaluar me Vistën thonë se kërkesa ka qenë më e fortë se sa pritej. Microsofti, i cili shet pesë versione të ndryshme të Vistës për përdorues personalë dhe profesionalë, llogarit se më shumë se 200 milion njerëz do të përdorin të paktën një nga produktet e tij të reja deri në fund të vitit 2007.//lk

XS
SM
MD
LG