Lidhje

Liritë politike dhe të drejtat civile në Shqipëri sipas organizatës Freedom House


Shqipëria u klasifikua si vend pjesërisht i lirë në raportin e organizatës Freedom House mbi të drejtat politike dhe liritë civile. Chris Walker, përfaqësues i kësaj organizate me seli në Nju Jork thotë se megjithë përmirësimet e qëndrueshme vitet e fundit, zbatimi i ligjeve, të shkruara mirë në letër, është një sfidë e udhëheqjes politike dhe shoqërisë civile në vend.

Zëri i Amerikës: Në raportin tuaj të fundit mbi të drejtat politike dhe liritë civile, ju e klasifikoni Shqipërinë si një vend pjesërisht të lirë. A mund të na thoni më shumë për parametrat që përdorni ju në këtë klasifikim?

Chris Walker: Në klasifikimin e Freedom House për të drejtat politike dhe liritë civile ne shohim zhvillimet në 194 vende të botës. Korniza që përdorim për këtë klasifikim është ajo që për ne përmban elementët kryesorë për sistemet demokratike, zhvillimet demokratike. Këtu përfshihen zgjedhjet, aftësia e forcave të ndryshme për të marrë pjesë në procesin politik pa pengesa, shprehja e lirë dhe shtypi i lirë, përpjekjet kundër korrupsionit e kështu me radhë. Në klasifikimin tonë Shqipëria është një vend pjesërisht i lirë që do të thotë se në shumë nga këto pika performanca e saj është mesatare. Kemi vërë re përmirësime të qëndrueshme graduale në vitet e fundit por do të thosha se ka ardhur koha për një kthesë në konsolidimin e aspiratave demokratike të vendit. Pra kjo është ndoshta një kohë e veçantë sfiduese për zhvillimet politike në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Freedom House përmend në raportin e fundit luftën kundër korrupsionit si një hap pozitiv të ndërmarrë nga qeveria shqiptare. Megjithëse legjislacioni, ligjet kundër korrupsionit kanë qënë aty për një kohë të gjatë, përsëri mungon zbatimi i tyre. Çfarë duhet për ti bërë ligjet të zbatueshme?

Chris Walker: Korniza ligjore që ka Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera në rajon, është përmirësuar vitet e fundit. Kjo ka ardhur në disa raste si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta me Bashkimin Evropian për të përmirësuar ligjet e shkruara. Puna është të sigurosh zbatimin e këtyre ligjeve për të patur një efekt pozitiv në jetën e qytetarëve të thjeshtë. Kjo është e vështirë. Kërkon vendosmërinë e udhëheqjes politike në vend si dhe mbështetjen dhe vendosmërinë e grupeve të interesuara të shoqërisë dhe qytetarëve të saj. Kjo është aq themelore dhe e rëndësishme saqë kërkon vendosmëri të ripërtëritur që fjalët e këtyre ligjeve të bëhen shpirti i praktikës së shoqërisë në vend.

Zëri i Amerikës: Polarizimi politik në Shqipëri është i gjerë. Sa mendoni se i dëmton ky polarizim aspiratat e vendit për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian?

Chris Walker: Kemi vërejtur nivelin e kontestimit, të natyrës kundërshtuese të partive politike në Shqipëri. Në një farë mase kjo lloj konkurrence dhe lufte mund të pritet në një sistem që po zhvillohet ku kërkon të kesh ide të ndryshme të forcave politike pjesëmarrëse. Sfida është të sigurohet që këto pikëpamje konkurrente dhe kundërshtuese nuk e kalojnë masën për tu kthyer në kundraproduktive. Sigurisht që Bashkimi Evropian po e shikon me vëmendje situatën për tu siguruar që kjo luftë midis forcave politike të jetë frytdhënëse dhe jo shkatërruese pasi nga ajo varen zhvillimet politike të vendit.

Zëri i Amerikës: Si e vlerësoni ju zbatimin e ligjit në Shqipëri?

Chris Walker: Është një sfidë e vështirë për vendin. Lëvizja nga një sistem që nuk njihte fare zbatimin e ligjit, tani një dekadë e gjysëm më vonë duhet të shihnim më shumë përparim në këtë fushë. Në shumë aspekte, në elementët përbërës të zbatimit të ligjit ku përfshihet edhe pavarësia e gjyqësorit, është shtylla kurrizore e zhvillimeve demokratike të një vendi. Ne e shohim atë si thelbësor. Niveli i përpjekjeve të bëra në këtë drejtim kërkon më shumë përkushtrim nga forcat politike dhe grupe të tjera për të siguruar që kjo pikë të ketë një performancë më të mirë për ta bërë Shqipërinë në një ardhme të afërt një vend të lirë në klasifikim.

Zëri i Amerikës: Më në fund forcat politike ranë dakort për zhvillimin e zgjedhjeve më 18 shkurt. Çfarë prisni të shihni në këto zgjedhje?

Chris Walker: Shpresojmë që si administrimi i zgjedhjeve dhe të gjithë elementët e tjerë që kontribojnë për zgjedhje të lira dhe të drejta do të jenë të pranishme. Kjo do të thotë që fushata gjatë këtij muaji, diskutimi i çështjeve të jetë i hapur dhe energjik dhe që administri i vetë zgjedhjeve të jetë i pastër, i drejtë dhe të plotësojë të gjitha standartet që kërkojnë të shohin vetë qytetarët e vendit. Sigurisht që OSBEja do të jetë në terren për të parë situatën, për të parë atë nivel zgjedhjesh që do të përmbush arpiratën e popullit shqiptar për të konsoliduar demokracinë në vend. //rd//

XS
SM
MD
LG