Lidhje

Sondazh: PD-ja dhe aleatët e saj ka të ngjarë të fitojnë zgjedhjet


Në Shqipëri Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë më të favorizuar për të fituar zgjedhjet për pushtetin vendor. Sipas një sondazhi të publikuar sot nga Instituti Demokrat amerikan, nëse votimet do të mbaheshin në periudhën mes dhjetorit të shkuar dhe ditëvetë para të janarit e djathta rezulton fituese në 5 qytete të mëdha përfshirë dhe Tiranën, ndërsa e majta është e para në Vlorë. Ndër politikanët më të pëlqyer rezulton Bamir Topi i partisë demokratike, ndërsa kryetari socialist njëkohësisht dhe kandidati për bashkinë e Tiranës, është në kryeqytet, 3 pikë më lart se rivali i tij Sokol Olldashi.

Sondazhi i sotëm i publikuar nga Instituti Demokratik Amerikan është i pari i realizuar nga një organizëm jashtë strutkturave partiake. Ai jep një panoramë të tendencave politike të votuesve shqiptarë në 6 qytete të mëdha të vendit, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë e Sarandë në rast se zgjedhjet do të mbaheshin në periudhën kur është kryer anketimi, në gjysmën e dytë të dhjetorit 2006 dhe javën e parë të janarit të këtij viti.

Praktikisht ky sondazh nxjerr fituese partinë demokratike dhe aleatët e saj në 5 qytetet përfshirë dhe kryeqytetin, ndërsa e majta është e para vetëm në Vlorë. Në Tre qytete diferencat mes dy kampeve nuk janë shumë të mëdha. Kështu në Elbasan Demokratët udhëheqin me 7 pikë ndaj partisë socialiste. Në qytetin e Korcës, partia demokratike dhe aleatët e saj janë vetëm 4 pikë përpara socialistëve dhe partive të tjera të majta.

Në Tiranë diferenca është më e ngushtë. Demokratët si parti janë 4 pikë diferencë mbi socialistët, por së bashku me aleatët diferenca ngushtohet në 1 pikë. Në distancë të dukshme partia demokratike udhëheq në Durrës, qytet i qeverisur tre vitet e fundit nga socialistët, por që në 3 korrik 2005 i dha votat thuajse të gjithë deputetëve demokrat. Socialistët dhe aletatët e tyre janë 23 pikë pas.

Me një diferencë më pak të thellë, 13 pikë demokratët udhëheqin sipas sondazhit edhe në Sarandë. Por nëse do të llogariteshin edhe aleatët, atëherë edhe këtu e djathta do të ishte shumë më përpara. Sondazhi nuk ofron të njejtën tablo për kandidatët respektiv në këto qytetet, por jep një pasqyrë të politikanëve më të preferuar. Nënkryetari demokrat Bamir Topi rezulton të jetë më i pëlqyeri ndër 8 emra politikanësh. Ndërsa lideri i së djathtës kryeministri Sali Berisha në shumicën e rasteve ka qenë i treti në radhë mes politikanëve të djathtë, dhe i katërti ose i pesti në listën e përfaqësuesve të të dy krahëve. Kryetari socialist Edi Rama është thuajse gjithmonë i pari ndër udhëheqësit e së majtës.

Në Tiranë ai kryeson me 3 pikë ndaj Sokol Olldashit rivalit të tij direkt në garën për bashkinë e kryeqytetit si dhe është vlerësuar nga 58 përqind e të intervistuarve për ndershmërinë e tij. Ndërsa Fatos Nano ka rezultuar politikani më pak i pëlqyer. Sondazhi trajton edhe cështjet më shqetësuese për qytetarët, ku në plan të parë është cështje e energjisë elektrike, punësimi dhe më pas korrupsioni, rrugët e furnizimi me ujë. Pavarësisht se Shqipëria po kalon një krizë të rëndë, duket se kjo nuk do të ketë ndikim në përzgjedhjen e elektoratit i cili mbetet megjithatë besnik i partisë që preferon. //rd//

XS
SM
MD
LG