Një komision i posaçëm i Parlamentit Evropian miratoi një raport ku thuhet se disa vende evropiane kanë qenë në dijeni të fluturimeve sekrete të CIA-s mbi hapësirën e Evropës si dhe të qendrave të fshehta të paraburgimit për personat e dyshuar si terroristë që kanë qenë rrëmbyer.
Raporti miratohet pas një hetimi të kryer nga Bashkimi Evropian lidhur me veprimtaritë e CIA-s në Evropë, hetim i cili zgjati një vit. Raporti akuzon disa zyrtarë të lartë të Bashkimit se janë përpjekur të fshehin informacione lidhur me një program sekret amerikan paraburgimesh, i cili vitin e kaluar u bë publik nga Presidenti Bush.
Kritikë të ndryshëm, duke përfshirë Partinë Popullore Evropiane, grupimi më i madh në parlament, kanë shtruar pikëpyetje mbi besueshmërinë e raportit, duke e quajtur atë të një anshëm dhe të pasaktë. Deputeti italian, Jash Gavronski tha se ka “pak prova bindëse” që të tregojnë se këto vende evropiane kanë kryer ndonjë shkelje.
Hetimi, i cili filloi në vitin 2005, mori shkas nga akuzat e ngritura nga një person i arrestuar, i cili tha se ishte mbajtur dhe torturuar në një burg të fshehtë të Polonisë. //kk//