Dhjetra mijë veprimtarë kundër abortit po marrin pjesë në Marshimin e përvitshëm në Uashington, me rastin e 34-vjetorit të një vendimi të Gjykatës së Lartë që e shpalli abortin të ligjshëm. Marshime dhe tubime të ngjashme po zhvillohen edhe në qytete të tjerë të vendit.
Në Uashington, demonstruesit kundër abortit po marshojnë pranë kompleksit të Kongresit duke shkuar drejt selisë së Gjykatës së Lartë.
Presidenti Bush foli me demonstruesit përmes një telefonate e cila u transmetua me altoparlantë. Ai tha se mbështet qëllimin e tyre për të parë ditën kur çdo fëmijë do të jetë i mirëpritur në jetë dhe i mbrojtur me ligj.
Senatori Sam Brownback, republikan konservator, i cili të shtunën shpalli se do të hyjë në garën presidenciale të 2008-s, po merr pjesë në Marshimin për Jetën, siç quhet veprimtaria e sotme dhe po organizon një pritje për demonstruesit.
Edhe veprimtarët që e mbështesin të drejtën e abortit po zhvillojnë mitingje por më të vogla, në Uashington dhe qytete të tjerë. Gjykata e lartë e legalizoi abortin me vendimin “Roe kundër Wade” të 22 janarit 1973. //kk//