Lidhje

ODIHR: vullneti politik do të jetë përcaktues për zgjedhjet në Shqipëri


Zyra e OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut, ODIHR, publikoi sot raportin e dytë të përkohshëm mbi situatën parazgjedhore në Shqipëri.

Raporti bën një përshkrim të situatës së tendosur politike që çoi në miratimin e ndryshimeve në kodin zgjedhor më 13 janar. Vëzhguesit e ODIHR-it vlerësojnë se qendrimi dhe vullneti politik i partive do të jenë përcaktuese duke patur parasysh afatet e ngushta ligjore të mbetura deri më datën 18 shkurt kur duhet të zhvillohen zgjedhjet.

Raporti i dytë i misionit të vëzhguesve afatgjatë të ODIHR -it përmbledh afatin kohor nga 1 deri 14 janar, pikërisht periudhën më të tensionuar politike në të cilën procesi zgjedhor ishte totalisht i bllokuar për shkak të përplasjeve mes shumicës dhe opozitës për ndryshimet në kodin zgjedhor.

Falë marrëveshjes së arritur në tryezën e presidentit Alfred Moisiu, këto ndryshime u miratuan në parlament mbrëmjen e 13 janarit, 1 ditë përpara periudhës së vlerësuar në raport. Kjo është edhe arsyeja që raporti është thuajse i tëri përshkrues dhe pa konstatime. Të vetmet vlerësime kanë të bëjnë me ndryshimet e miratuara nga deputetët.

Sipas vëzhguesve të ODIHR-it megjithë kuadrin e ri ligjor, sërish partitë politike mund të përcaktojnë ecurinë e procesit paralektoral. “Megjithë afatet e shkurtuara ligjore, ka kohë të mjaftueshme për përgatitjet e duhura të zgjedhjeve nëse të gjithë aktorët dëshmojnë vullnetin e kërkuar politik dhe në veçanti ato parti roli dhe përgjegjësia e të cilave në procesin zgjedhor mbetet përcaktues”, thuhet në raport.

Kriza zgjedhore për javë të tëra mbeti peng e problemit të çertifikatave. Partitë arritën të gjejnë zgjidhjen duke përcaktuar një sërë procedurash që do të shmangnin përdorimin abuziv të tyre siç druhej opozita.

Në raportin e ODIHR-it, ndërsa vlerësohet kjo pikë e ndryshimeve ligjore, thuhet se përdorimi dhe administrimi i çertifikatave parashikojnë procedura komplekse dhe të rënduara të cilat mund të përbëjnë një sfidë për zyrat e gjendjes civile, komisionet elektorale dhe votuesit. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë qenë veçanërisht kritikë ndaj njërit prej ndryshimeve i cili parashikon që lista për këshilltarët bashkiakë mund të ndërrohet edhe pas votimit - një vendim ky i marrë me konsensus nga partitë shqiptare pas kërkesës këmbëngulëse të partive të vogla.

Në këtë mënyrë lista do të përshtatet nga votat që do të marrë secila forcë politike dhe përfaqëesuesi i saj në lista. Por për ODIHR-in ky ndryshim nuk shkon në përputhje me rekomandimet e bëra prej tyre apo edhe prej Komisionit të Venecias dhe zvogëlon transparencën për votuesit. Ky ndryshim thuhet në raport mund të ngrejë edhe probleme praktike dhe çështje ligjore duke rritur numrin e ankimeve në rast mosmarrëveshjesh.//ii

XS
SM
MD
LG