Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit po u bën thirrje palëve të dala nga konfliktet në Ballkan të përqafojnë të ardhmen në Bashkimin Evropian. Ndihmës Sekretari i Shtetit Daniel Fried i tha korrespondentes të Zërit të Amerikës Ivana Kuhar se ka ardhur koha të kapërcehen retorikat nacionaliste dhe të gjendet një zgjidhje për Kosovën.
Serbia mban zgjedhjet e përgjithshme këtë të djelë. Ndihmës sekretari i shtetit Daniel Fried tha se Shtetet e Bashkuara duan ta shohin Serbinë një vend të begatë demokratik. "Duam ta shohim Serbinë të zgjedhë Evropën, të zgjedhë të ardhmen evropiane. Serbia e meriton atë; populli serb meriton një të ardhme në Evropë, asgjë më pak se çdo popull tjetër në Evropë. Shpresoj se Serbia do të zgjedhë një të ardhme të mirë".
I dërguari i OKB-së Marti Ahtisaari pritet të paraqesë propozimin e tij mbi statusin e ardhshëm të Kosovës pas zgjedhjeve serbe. Zoti Fried parashikon se kjo do të pasohet nga një periudhë intensive bisedimesh. "Fakti është se nuk mund të kthehemi në gjendjen e para 1999. Por as mund të qëndrojmë ku jemi tani. Kosovarët dhe serbët duhet të shohin zgjidhjen e kësaj çështjeje në mënyrë që të vazhdojnë me jetëtë e tyre dhe të kenë një të ardhme".
Zoti Fried tha se palët që këmbëngulin tek e kaluara, pengojnë arritjen e një zgjidhje për të ardhmen e Kosovës. "Ka disa palë që flasin me gjuhën demagogjike të nacionalizmit. E kam thënë edhe përpara se nacionalizmi është në atë pjesë të botës si alkooli i lirë; në fillim të deh e pastaj të verbon e të vdes".
Zoti Fried tha se ish Jugosllavia shërben si një shembull i mirë i nacionalizmit shkatërrues e të rrezikshëm. "Personalisht më vjen keq që Jugosllavia u shpërbë me kaq shumë gjakderdhje. Kishte të metat e saj, por ishte një zgjidhje sesi jetonin njerëzit së bashku në atë pjesë të botës. Ajo nuk u shkatërrua nga shkaqe natyrore, por u vra. U vra nga Milosheviçi dhe jo vetëm prej tij, por në pjesën më të madhe prej tij. Por ajo që është bërë nuk kthehet. Duhet të ecim përpara".
Zoti Fried tha se janë politikanët në Beograd dhe në Prishtinë ata që kuptojnë se nacionalizmi nuk mund të triumfojë në Kosovë. "Cilado të jetë e ardhmja e Kosovës, ajo duhet të ketë elementin shumë-etnik. Prania historike serbe, kultura historike serbe- manastiret dhe komuniteti serb duhen ruajtur. Në të njëjtën kohë duhet të njohim se 90 përqind e atij vendi janë shqiptarë të cilët u shtypën seriozisht nga Milosheviçi", tha zoti Fried.
Rusia ka përsëritur qëndrimin se një marrëveshje mbi statusin e ardhshëm të Kosovës duhet të jetë e pranueshme nga të dyja palët. Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Rusia mund të përdorë të drejtën e vetos dhe të bllokojë miratimin e çdo plani. Zoti Fried është optimist se palët do të bien dakort për një zgjidhje. "Ka nevojë për një zgjidhje. Nuk ka rrugë tjetër. Statukuoja është e papranueshme. Ne duhet të lëvizim prej saj dhe duhet të ketë një zgjidhje që njeh të dretat e të gjithë njerëzve atje".
Zoti Fried tha se vendimi i Natos për të ftuar Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjen në programin Aleanca e Partneritetit për Paqe u mbështet fuqimisht nga Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice. Por ai shtoi se Sekretarja Rice e mori vendimin e saj vetëm pas një debati të gjatë. "Ne debatuam shumë gjatë brenda qeverisë sonë. Kishte arsye për ta vonuar këtë vendim dhe për ta shpejtuar atë".
Sekretarja Rice mori vendimin për të ecur përpara dhe për të ftuar Serbinë bazuar në faktin se Serbia meriton një të ardhme në Europë. Ky ishte vendim i drejtë dhe jam i kënaqur që ajo e mori atë. Ndihmës sekretari i shtetit për Evropën dhe Euroazinë do të vizitojë rajonin e Ballkanit muajin e ardhshëm. //rd//