Lidhje

Sekretarja e shtetit Rajs viziton këtë javë Lindjen e Mesme dhe Evropën


Këshilltarët e Sekretares Rajs po thonë që përpara turneut të saj se ata nuk presin që ky udhëtim të sjellë suksese.

Por ata thonë se zonja Rajs do të përpiqet të shfrytëzojë atë që shikohet si një dritare përparimi në frontin izraelito-palestinez, ndërkohë që do të kërkojë gjithashtu mbështetje nga elementët e moderuar arabë për strategjinë e re në Irak, që do të njoftohet nga presidenti Bush gjatë një fjalimi që ai do të mbajë sonte.

Përpjekjet e paqes në Lindjen e Mesme janë bllokuar tashmë për një vit të tërë për shkak të mosmarrëveshjeve midis kreut të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abaz të lëvizjes Fatah dhe grupit islamik ekstremist Hamas, i cili kontrollon qeverinë palestineze dhe ka kundërshtuar marrëveshjet ndërkombëtare për arritjen e paqes me Izraelin.

Por zyrtarët amerikanë theksojnë disa shenja pozitive, duke përfshirë një armëpushim në Gaza dhe takimet e kryeministrit izraelit Ehud Olmert gjatë dy javëve të fundit me zotin Abaz dhe presidentin egjiptian, Hosni Mubarak.

Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit, Shan Mekormek, tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të bëjnë gjë në përçarjet e vazhdueshme mes palestinezëve veçse të përpiqen të ndihmojnë forcat e moderuara.

“Për sa i përket tensioneve midis Hamasit dhe Fatahut, ato janë fare të qarta dhe në rrënjë të tyre janë kontradikta me të vërtetë të pazgjidhura politike, që vetëm palestinezët mund t’i zgjidhin nëpërmjet një procesi politik. Pra kjo është diçka që duhet bërë. Nga ana jonë, ne po punojmë me presidentin Abaz dhe me presidencën mbi mënyrat për të forcuar ato institucione, që mbështesin zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve midis izraelitëve dhe palestinezëve.”

Administrata e presidentit Bush ka thënë se do të kërkojë mbështetjen e kongresit për një shumë prej deri në 100 milion dollarësh, kryesisht për rrogat dhe stërvitjen në mënyrë që të forcohen forcat e sigurimit palestinez nën kontrollin e zotit Abaz.

Në fillim të udhëtimit të saj, Sekretarja Rajs pritet të takohet me kryeministrin izraelit Olmert në Jeruzalem dhe me zotin Abaz në selinë e tij në Ramallah.

Më vonë zonja Rajs do të shkojë në Egjipt dhe Jordani dhe pastaj në Arabinë Saudite dhe në Kuvajt, ku konflikti irakian ka të ngjarë të mbizotërojë bisedimet me zyrtarët në ato vende.

Itenerari i zonjës Rajs, i cili u njoftua në Departamentin e Shtetit, nuk përfshin një ndalesë në Irak, megjithëse ajo e ka vizituar Bagdatin kur ka udhëtuar në rajon në të kaluarën, duke bërë vizita të panjoftuara më parë për arsye sigurimi.

Sekretarja Rajs e përfundon turneun e saj nga fundi i javës së ardhshme me këshillime me zyrtarët në Berlin dhe në Londër.

Zonja Rajs do të kthehet përsëri në Evropë një javë më pas për një konferencë më 25 janar në Paris për grumbullim fondesh për rindërtimin e Libanit, pas konfliktit të vitit të kaluar midis Izraelit dhe Hezbollahut. //ze//

XS
SM
MD
LG