Bota hyri në vitin e ri 2007. Në festimet tradicionale të Vitit të Ri në Nju Jork, një top i shndritshëm i veshur me kristal u lëshua në sheshin e famshëm Tajms Skuer, duke shënuar fillimin e 2007-s në Shtetet e Bashkuara.
Rreth 1 milion njerëz ndodheshin në shesh për të parë sferën gjigante, lëshimi i së cilës zgjati tre minuta dhe përfundoi në orën 12 të natës.
Festimet e Vitit të ri filluan sot së pari në Azi, pastaj u zhvendosën në Evropë dhe në Afrikë për të përfuduar në skalin lindor të Amerikës së Jugut. Në Kinë Presidenti Hu Gjin Tao uroi vitin e ri duke bërë thirrje për harmoni sociale.
Një sërë shpërthimesh në Tajlandë bënë që të anuloheshin festimet në Bangkok dhe qytete të tjerë.
Në Sidni, rreth 1 milion australianë u mblodhën për të parë fishekzjarret spektakolare mbi urën e gjirit të qytetit.
Në Belfast të Irlandës së Veriut, në Glasgou të Skocisë dhe në disa qytete të Anglisë veriore, fishekzjarret dhe koncertet në qiell të hapur u anuluan për shkak të erërave të rrezikshme.
Në Brazil, forca të shtuara të rendit patrulluan rrugët e Rio de Zhaneiros për të mos lejuar që dhuna në rritje e bandave të gangsterëve të pengonte festimet e famshme që zhvillohen për vitin e ri në plazhet e Kopakabanës dhe Ipanemës.//ii