Lidhje

Shqipëri: Partitë politike shkëmbejnë ftesa dhe akuza për zgjedhjet


Forcat kryesore politike shkëmbyen sërish akuza të ashpra të shtunën në lidhje me zgjedhjet vendore. Opozita është duke kërkuar standarte në këmbim të pjesëmarrjes në zgjedhje, ndërsa maxhoranca duke çelur veprimtaritë e para të fushatës zgjedhore. Partia Socialiste kërkoi sot shmangien e ndërhyrjeve antiligjore në procesin zgjedhor, duke theksuar se ende ka kohë që zgjedhjet të shpëtohen.

"Partia Socialiste ka ofruar gjithë angazhimin e saj serioz në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore për zgjedhje të lira,të drejta dhe të ndershme. Fatkeqësisht këto kanë rënë në veshin e shurdhër të maxhorancës, megjithatë ne prapë i përmbahemi faktit se ende ka kohë që ne të shpëtojmë zgjedhjet e lira, të drejta dhe të ndershme konform standarteve të përfshira edhe në rekomandimet e OSBE-së" - deklaroi Arta Dade, sekretare e PS-së për politikë të jashtme.

Ajo tha për shtypin se kërkesat e opozitës nuk po përfillen nga maxhoranca.

"Shqiptarët kudo ku jetojnë nuk mund të privohen nga e drejta e tyre kushtetuese për t'u zgjedhur dhe për të zgjedhur përmes një procesi të lirë, demokratik, përmes votës së tyre të ndershme dhe të drejtë. Parandalimi i cdo ndërhyrjeje me mekanizma antiligjorë në infrastrukturën zgjedhore është detyrë e çdo shtetasi dhe për më tepër, detyra jonë si politikanë" - tha zonja Dade.

Ndërsa Partia Republikane paraqiti sot kandidatët e vet për zgjedhjet vendore, mes të cilëve edhe Sokol Olldashin, kandidatin e përbashkët të maxhorancës për bashkinë e Tiranës.

"Data 20 janar është data e zgjedhjeve. Në datën 20 ne duhet të shkojmë në zgjedhje me standarte më të mira. Për realizimin e këtyre standarteve duhet edhe mirëkuptimi politik, sepse gara elektorale është garë politike. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që të gjejmë marrëveshje edhe për ndryshime në kodin zgjedhor në institucionin e Parlamentit për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në datën 20. Ju bëjmë thirrje Të ulemi dhe të bëjmë të gjitha ndryshimet ligjore." - deklaroi kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, pjesëtar i maxhorancës.

Ai tha se opozita po ngre pretendime të paqena për standarte zgjedhore, thelbi i të cilave është shtyrja e zgjedhjeve.

"E gjithë tymnaja e sotme; nëse kemi lista votuesish apo jo, nëse kemi çertifikata apo jo për zgjedhjet, nëse duhen bërë apo jo zgjedhjet në datën 20 janar; fsheh vetëm një qëllim: shtyrjen e zgjedhjeve, anatemimin e Shqipërisë si një vend që nuk mund të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, si një vend që nuk ka një klasë politike dhe qeverisje të përgjegjshme. Kostoja e kësaj nuk do të ishte vetëm e kryeministrit dhe e qeverisë, por do të binte mbi të gjithë shqiptarët". - tha zoti Mediu.

Tensionet dhe mospajtimet mes partive kanë vështirësuar marrëdhëniet politike në prag të zgjedhjeve vendore. Forcat politike ende nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për ndryshimet e fundit ligjore në përgatitje të një procesi të besueshëm zgjedhor. Njëkohësisht me ftesat për bashkëpunim dhe mirëkuptim, ato po shkëmbejnë me njëra-tjetrën edhe akuza për bllokim të procesit zgjedhor. //kk//

XS
SM
MD
LG