Bob Hand, Këshilltar i Komisionit amerikan të Helsinkit këtu në Uashington, thotë se midis dy partive politike kryesore në Shqipëri ka aq shumë mosbesim saqë të dyja ato i kanë ngurtësuar së tepërmi pozitat duke e bërë kompromisin të paarritshëm. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Hand tha se është i skandalizuar nga situata e krijuar.
Zëri i Amerikës: Zoti Hand, qeveria e kryeministrit Sali Berisha insiston se zgjedhjet duhet të mbahen brenda periudhës kohore që përcakton kushtetuta dhe nuk mund të shtyhen. A mendoni se ka vend për kompromis?
Bob Hand: Në politikë, kompromisi është pikërisht ajo duhet kërkuar prandja mendoj se është jashtëzakonisht për të ardhur keq që Shqipëria përsëri gjendet përballë afatit kushtetues për mbajtjen e zgjedhjeve deri më 20 janar. Në të njëjtën kohë, kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve në një kohë të tillë janë mjaft të këqia. Mendoj se duhet arritur një kompromis sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kjo është një nevojë absolute. Nuk ka kohë për të humbur që të shihet se cilat janë mundësitë për mbajtjen e zgjedhjeve brenda afatit të caktuar si dhe për të parë nëse ekziston ndonjë rrugë ligjore që do të lejonte caktimin e ndonjë date alternativë. Nuk do të dëshiroja të bëja ndonjë pohim kategorik nëse zgjedhjet duhen mbajtur deri më 20 janar apo më vonë, por sa më shumë që kalojnë ditët, aq më shumë do të shtohen problemet rreth këtyre zgjedhjeve: ato ose do të vonohen ose do të jenë të këqia, por e mira do të ishte që të mos lejohet keqësimi i një situate të tillë.
Zëri i Amerikës: Zoti Hand, opozita ka shprehur shqetësimin se zgjedhjet nuk mund të zhvillohen pa disa standarde bazë siç janë përmirësimi i listave të zgjedhësve apo certifikatat e përshtatëshme, prandaj ata refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Sa legjitime janë shqetësimet e tyre?
Bob Hand: Mendoj se përmirësimi i listave të votuesve është një shqetësim i ligjshëm dhe kjo është diçka për të cilën është punuar prej një kohe të gjatë. Për fat të keq, ka patur një mungesë të plotë marrëveshjeje se si duhet vepruar për të hartuar si duhet listat e votuesve, gjë që është një detyrë e thjeshtë. Prandaj mendoj se ky është një shqetësim legjitim për të cilin opozita dhe qeveria duhet të kishin rënë dakord. Eshtë me tëvërtetë zhgënjyes fakti që ato nuk arrijnë të bien dakord për diçka kaq të thjeshtë si kjo. Përsa u përket disa akuzave të tjera, unë kam parë të tilla edhe më parë por nuk mund të them nëse janë apo jo të vërtetata sepse është e lehtë të bësh deklarata por ata duhet të paraqesin dokumente për të gjitha këto. Sidoqoftë mendoj se kemi të bëjmë me një mungesë besimi nga të dyja palët, gjë që është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe kundërproduktive për vendin.
Zëri i Amerikës: Zoti Hand, a mund të mbahen zgjedhjet pa pjesmarrjen e opozitës?
Bob Hand: Nëse një proces zgjedhor bojkotohet, kjo do të ishte diçka jashtëzakonisht e rëndë, do të ishte një gabim serioz për opozitën ashtu siç do të ishte një gabim për partinë në pushtet kur ajo thot se zgjedhjet nuk mund të ndalen, duke nënkuptuar se pavarësisht nga të metat e procesit zgjedhor, pavarësisht nëse ato do të riparohen apo jo, ajo deklaron se nuk do t’i ndryshojë planet por do të vazhdojë dhe do t’i fitojë zgjedhjet. Çështja është se, jo vetëm zgjedhjet, por krejt situata e përgjithshme politike në Shqipëri është aq e polarizuar dhe ka aq shumë mungesë besimi saqë të dyja palët i kanë ngurtësuar tashmë së tepërmi pozitat dhe kjo do ta bëjë tepër të vështirë arritjen qoftë edhe të një kompromisi praktik për këto zgjedhje. Fjala që do të përdorja në këtë rast është se jam i skandalizuar nga situata e krijuar. Zgjedhjet në Shqipëri unë i kam vëzhguar që nga viti 1991 duke inkurajuar vazhdimisht arritjen e progresit në vend. Ne kemi parë përparim të madh në Shqipëri, sidomos në 6 vitet e fundit në aspektin e zgjedhjeve si dhe në aspekte të tjera të zhvillimit por tani e gjithë kjo po vihet në rrezik. Pasojat e kësaj janë shumë të mëdha, së pari për integrimin e vendit në Evropë. Shqipëria kaloi një pengesë në vitin 2005 me zgjedhjet e zhvilluara në atë kohë por kjo nuk do të thotë që ata duhet të kthehen përsëri tek loja e vjetër. Përkundrazi ata duhet ta ruajnë momentin e fituar. Desha të them edhe diçka. Këto janë zgjedhje lokale, të cilat kanë të bëjnë me çështje të nivelit vendor, pra që nuk mund të kthehen në burim të një krize me përmasa kombëtare. Për këtë arësye unë jam jashtëzakonisht i zhgënjyer dhe i skandalizuar me mënyrën se ku ka arritur gjendja politike e vendit.
Zëri i Amerikës: Zoti Hand, duket se OSBE-ja nuk dëshiron të ndërhyjë për të luajtur rolin e arbitrit në këtë krizë të fundit. Mendoni se ajo duhet ta luajë një rol të tillë?
Bob Hand: OSBE-ja ka luajtur një farë roli dhe do të luajë rol – çështja është nëse ata do të ndërhyjnë dhe do të arbitrojnë këtë mosmarrëveshje. Mendoj se askush në komunitetin ndërkombëtar nuk ka ndonjë detyrim të ndërhyjë për ta bërë këtë. Kjo është bërë shumë herë në të kaluarën. Nëse nuk gaboj, diplomatët e huaj ndihmuan në arritjen e marrëveshjes së gushtit për çështjen e zgjedhjeve. Por nëse udhëheqja politike e të dy krahëve në Shqipëri nuk mund të arrijë marrëveshje pa ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar, atëhere kemi të bëjmë me diçka serioze. Prandaj, nëse komuniteti ndërkombëtar vendos t’i lejojë udhëheqësit e të dy krahëve të përballen me pasojat e pamundësisë së tyre për të gjetur kompromis, unë nuk do ta vija në pikëpyetje një vendim të tillë.
Zëri i Amerikës: Zoti Hand, çfarë duhet të bëjë në thelb Shqipëria për t’i kapërcyer këto probleme?
Bob Hand: Eshtë shumë e vështirë të thuash se çfarë kërkohet për ta kapërcyer një problem të tillë. Ky problem është mjaft i rrënjosur dhe nuk duket që në ndonjërin krah të ketë një zë të arësyes. Por në fund të fundit mendoj se duhet të jetë populli i Shqipërisë ai që duhet të thotë fjalën e tij, t’u thotë politikanëve se është i lodhur me këto gjëra, se ai kërkon një politikë të ndryshme në vendin e tij, të ndryshme nga ajo që po shohim sot. Nëse unë jam i skandalizuar nga ajo që dëgjoj është e lehtë të përfytyrohet se si duhet të ndihen njerëzit në Shqipëri nga ajo që lexojnë dhe dëgjojnë çdo ditë. //rd//