Presidenti Bush tha se ai dhe kryeministri britanik Tony Blair diskutuan mbi raportin e grupit studimor për Irakun dhe se rekomandimet e tij meritojnë të studiohen seriozisht.
Të dy udhëheqësit u takuan sot në Shtëpinë e Bardhë, një ditë pas nxjerrjen së raportit nga ekspertët e komisionit dypartiak.
Presidenti Bush tha në një konferencë të përbashkët shtypi me zotin Blair se dhuna e tanishme në Irak është shqetësuese dhe se gjendja në Irak është e keqe. Ai tha se ekstremistët jashtë kufijve të Irakut po kontribuojnë për dhunën.
Grupi Studimor për Irakun rekomandonte në raport angazhimin e fqinjëve të Irakut, Sirisë dhe Iranit. Por Presidenti Bush tha se Irani duhet që së pari të pezullojë në mënyrë të verifikueshme pasurimin e uraniumit nëse dëshiron të hyjë në bisedime me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Bush tha se do të studiojë rekomandimet e Pentagonit dhe të Departamentit të Shtetit para se të shpallë ndonjë vendim.
Nga ana e tij zoti Blair tha se raporti ofron një rrugë të fuqishme përparimi për Irakun. Ai tha se pasojat e dështimit do të ishin të rënda.
Presidenti Bush njoftoi se zoti Blair do të shkojë së shpejti në Lindjen e Mesme për t’u takuar me izraelitët dhe palestinezët.