Dje në Irak nga aktet e dhunës humbën jetën rreth 100 veta, duke iu shtuar kështu numrit rekord, sipas Kombeve të Bashkuara, të civilëve të vrarë kryesisht për shkak të dhunës sektare.
Në një raport të Kombeve të Bashkuara thuhet se më shumë se 3 mijë e 700 civilë u vranë muajin e kaluar. Ky është numri më i madh që prej fillimit të luftës në vitin 2003. Raporti citon shifra të ministrisë irakiane të shëndetësisë.
Ndërkohë, policia irakiane njoftoi se dje gjeti 59 trupa në Bagdat. Nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës në jug të Bagdatit u vranë 7 zyrtarë irakianë të sigurimit.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë njoftuan për vdekjen e një ushtari amerikan nga një sulm me bombë të martën.
Në Uashington, komandanti i marinsave, gjenerali Xhejms Konuej tha se korpusi i marinsave ka ndoshta nevojë të zgjerohet për shkak të misioneve në Irak dhe në Afganistan. Ai tha se zyrtarët mund të rishqyrtojnë gjithashtu planet për riqarkullimin e trupave. //ze//