Lidhje

SHBA: vullnetarët dhe Festa e Falenderimeve


Nesër në Shtetet e Bashkuara është festë, quhet Dita e Falenderimeve. Megjithëse e ka origjinën te gëzimi i njerëzve për të korrat e mbara, sot kjo festë bashkon familjet për të reflektuar mbi fatin e tyre të mirë. Për shumë amerikanë Dita e Falenderimeve ose “Thanksgiving” siç quhet këtu, nënkupton thjesht ngrënien e gjelit, një ndeshje futbolli në televizor dhe fillimin e sezonit të blerjeve për Krishlindjet. Por shumë njerëz e gjejnë mënyrën për të dhënë falenderime duke ndihmuar të tjerët.

Kjo është java më e ngarkuar e vitit për organizatën Food and Friends, Ushqimi dhe Miqtë këtu në Washington që jep ushqime për ata që vuajnë nga sëmundje të rrezikshme si Sida dhe kanceri. Personeli dhe vullnetarët këtu po përgatisin darkën e gjelit për më shumë se 3 mijë e 500 vetë.

Shefi i kuzhinës Muia thotë se çdo vit përgatitjet e ushqimit për Falenderimet janë një sfidë e vërtetë për kapacitetin e organizatës që mbështetet nga vullnetarë. "Sasia e ushqimit që blejmë, sasia që duhet të përgatitet në tre apo katër ditë, numri i vullnetarëve, volumi i të gjitha gjërave që duhet të përfundojnë të enjten".

Për të patur çdo gjë gati për nesër, organizata mbështetet tek vullnetarët si arsimtarja në pension Marlene Hoffman dhe Debby Greenstein, e cila ka qënë vullnetare për 13 vjet. "Përveç faktit që misioni është shumë i rëndësishëm, kjo është edhe një mënyrë për t'i ndihmuar njerëzit e sëmurë të ndjehen më mirë. Ndjej kënaqësi të ndihmojë dhe ata po bëhen pjesë e familjes sime", thotë ajo.

Vullnetarët thonë se ndjejnë kënaqësi kur ndihmojnë të tjerët. Shumica e tyre nuk i shohin njerëzit që ndihmojnë. Por Nancy Sahli i sheh. "U shpërndaj ushqimin njerëzve që e dinë se do të vdesin", thotë ajo. Nancy ka punuar në qeverinë federale dhe ka është vullnetare e kësaj organizate që prej dy vjetësh. "Ajo që provon kur ndihmon të tjerët nuk është fakti se i nxjerr nga gjendja e vështirë por është shpirti human. Humanizmi më bën të palodhur me të gjithë këta njerëz".

Sot ajo po i çon darkën e Falenderimeve zonjës Mary Buck e cila është e sëmurë në shtëpinë e saj. Organizatat bamirëse në Amerikë shohin rritje të numrit të vullnetarëve gjatë festës së Falenderimeve. Ata shpresojnë që vullnetarë si Nancy Salhi do ta vazhdojnë punën e tyre deri në përfundim të sezonit të festave.

XS
SM
MD
LG