Rezultatet jozyrtare tregojnë se kandidatët demokratë po fitojnë terren edhe në votimet për guvernatorët në gjithë Shtetet e Bashkuara.
Sipas parashikimeve, demokratët mund të kenë fituar një numër të mjaftueshëm vendesh për 36 postet e guvernatorëve për të cilat po votohet, që mund t’u japë atyre shumicën për herë të parë që nga viti 1994.
Martesa e homoseksualëve, aborti dhe paga minimale ishin ndër çështjet më kryesore për votuesit në zgjedhjet e djeshme kombëtare.
Shtatë shtete miratuan masat për të ndaluar martesën e homoseksualëve në kushtetutat e tyre. Por kjo masë u hodh poshtë në shtetin Arizona.
Në Dakotën e Jugut, ndalimi i propozuar për pjesën më të madhe të aborteve u hodh poshtë. Kjo masë do të ndalonte abortet në këtë shtet përveç se në rastet kur jeta e një gruaje shtatzënë është në rrezik.
Një çështje tjetër e debatueshme në zgjedhjet e djeshme ishin kërkimet me qeliza embrionale, amendament që u miratua nga votuesit në Mizuri. Kjo çështje fitoi vëmendjen mbarëkombëtare pasi aktori Majkëll Xhei Foks, i cili vuan nga sëmundja e parkinsonit, doli në një reklamë televizive duke përkrahur demokraten Kler MekKeskill, kandidaten që pastaj fitoi garën për në senatin amerikan.
Votuesit në shtetin Nevada dhe Kolorado hodhën poshtë masat që do të ligjëronin posedimin e 28 gramëve marijuana.
Në Kaliforni u hodh poshtë një propozim për të taksuar kompanitë e naftës që bëjnë shpime për naftë në këtë shtet për të nxitur burime të pastërta energjie. Masa mbështetej nga ish presidenti Klinton, ish presidenti Al Gore dhe aktorja e Hollivudit Xhulia Roberts.