Lidhje

Ahtisari: viti 2006 vazhdon të mbetet objektivi im për Kosovën


Kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Marti Ahtisari mohoi njoftimet se bisedimet për statusin mund të shtyhen. Ai tha se viti 2006 vazhdon të mbetet objektivi i tij. Ish presidenti i Finlandës i bëri komentet sot në Bruksel ku u takua me zyrtarë të lartë të NATOs dhe të Bashkimit Evropian.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari nuk u vuri rëndësi aludimeve të bëra nga zyrtarë të Bashkimit Evropian se procesi mund të vazhdojë përtej fundit të vitit 2006, objektiv i vënë nga nga Grupi i Kontaktit për Kosovën.Ish Presidenti i Finlandës u tha gazetarëve në Bruksel se plani i tij nuk ka ndryshuar:

“2006-a vazhdon të jetë objektivi im. Unë nuk kam dëgjuar ndonjë gjë tjetër nga Grupi i Kontaktit dhe nuk dëshiroj të marr pjesë në spekulime hipotetike lidhur me zgjedhje apo referendume që mund të zhvillohen. Tani për tani, plani im është që të jem gati për ta paraqitur propozimin përpara fundit të vitit.”

Të gjithë flasin për zgjedhje, tha zoti Ahtisari, duke iu referuar zgjedhjeve të mundëshme në Serbi. Megjithatë, shtoi ai, unë nuk kam parë ndonjë datë të caktuar qartë për zgjedhje.

Dje, shefi i politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian, Havier Solana tha se ka mundësi që procesi të shtyhet për shkak se Serbia ka në plan të mbajë referendum për një kushtetutë të re si dhe zgjedhje parlamentare dhe presidenciale.

Shqiptarët e Kosovës janë kundër çdo shtyrjeje në procesin e bisedimeve duke thënë se kjo mund të kishte ndikim negativ për stabilitetin në rajon.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jap de Hup Shefer tha se KFOR-i do të qendrojë në Kosovë dhe është i përgatitur për çdo të papritur.

“Cdo njeri në Kosovë duhet të kuptojë se në këtë periudhë kritike, ka rëndësi që në Kosovë të mbretërojë qetësia. Niveli i trupave të KFOR-it do të jetë i pandryshuar. KFOR-i do të ketë një rol për të luajtur edhe për një farë periudhe pas përcaktimit të statusit. Natoja dhe partnerët e saj e mbështesin plotësisht atë që po bën zoti Ahtisari si dhe propozimet që ai do të bëjë kur të vijë koha.”

Zoti Ahtisari tha se nga fundi i këtij muaji dhe nga fillimi i muajit të ardhshëm ai do të diskutojë me Grupin e Kontaktit lidhur me çështjen e përgatitjes së propozimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Nuk jam ende gati dhe nuk janë të vërteta lajmet që thonë se unë jam gati të paraqes propozimet, tha ai.

Kemi disa ide paraprake të cilat do t’i diskutoj me Grupin e Kontaktit si dhe me OKB-në, ku do të shkoj nga mesi i nëntorit, tha kryenegociatori Marti Ahtisari. //ii

XS
SM
MD
LG