Kryetari i Partisë Demokratike dhe anëtar i ekipit të negociuesve të Prishtinës për statusin e Kosovës, Hashim Thaci, tha sot se Kosova përjetësisht, do të jetë partner i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në angazhimet globale për ngadhnjimin e demokracisë dhe vlerave të lirisë. Ai i bëri këto komente në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues të Partisë më të madhe opozitare në Kosovë, në të cilën u tha se synimi kryesor është ndërtimi i shtetit të ri demokratik të Kosovës, zhvillimi ekonomik dhe integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“E kaluara, e sotmja dhe e ardhmja e jonë e sigurt është bashkëpunimi dhe besimi i plotë tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kosova përjetësisht në çdo rrethanë, do të jetë partner i SHBA-ve në angazhimet globale për ngadhnjimin e demokracisë dhe vlerave të lirisë“, tha zoti Thaçi.
Partia Demokratike paralajmëroi se pas përcaktimit të statusit të Kosovës, do të tërhiqet nga ekipi i negociuesve për të vazhduar punën e saj si opozitë. Ajo do të marrë nismën që të arrijë një marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre komunale më së shumti gjashtë muaj pas njohjes ndërkombëtare të statusit politik të Kosovës. Zgjedhjet lokale është dashur të mbahen sivjet por ato u shtynë për shkak të procesit për zgjidhjen e statusit politikë të Kosovës. Prishtina beson se procesi do të rrjedhë në pajtim me afatet e përcaktuara nga Grupi i Kontaktit për zgjidhjen e statusit deri në fund të vitit 2006.
Paralajmërimi i zgjedhjeve parlamentare në Serbi ka bërë që të shtohen zërat për shtyrjen e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës për fillimin e vitit të ardhshëm. Prishtina zyrtare pohon se çdo shtyrje vetëm sa do të nxiste pakënaqësi dhe do të pengonte zhvillimin ekonomik dhe proceset demokratike e integruese. Zoti Thaci tha sot se Kosova është e gatshme të funksionojë si shtet i pavarur.
“Ne besojmë që ky proces vetëm sa do të përshpejtohet nga komuniteti ndërkombëtarë dhe vendimi I Grupit të Kontaktit është në fuqi, vendim që ne si politike kosovare por edhe si qytetarë I besojmë dhe besojmë plotësisht në angazhimet dhe përkushtimet që ky process të përmbyllet në kohë të duhur, të përmbyllet këtë vit”, tha zoti Thaçi.
Gjatë javëve të ardhshme pritet që kryenegociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari të hedhë propozimin e tij për të ardhmen politike të Kosovës. Zyra e zotit Ahtisaari paralajmëron se ai do të vazhdojë të punojë për këtë cështje sipas parimeve të vendosura nga Grupi i Kontaktit, përderisa nuk ka një vendim tjetër.