Lidhje

Danat përpiqet të zbutë debatet mbi tërheqjen e trupave nga Iraku


Shefi i ushtrisë britanike, po përpiqet të qetësojë debatet që kanë ngjallur komentet e tij se trupat britanike në Irak mund të tërhiqen para kohe. Gjenerali Riçard Danat tha se komentet e tij për gazetën "Dejly Meil" ishin nxjerrë jashtë kontekstit.

Si gjenerali, ashtu edhe kryeministri Toni Bler hodhën poshtë aludimet se ndërmjet shefit ushtarak dhe qeverisë ka pasur mosmarrëveshje. Gazeta citonte shefin e ushtrisë, sipas të cilit prania ushtarake britanike në Irak po e keqëson gjendjen dhe se ishte e nevojshme që trupat të tërhiqeshin së shpejti.

Një zëdhënës i qeverisë irakiane tha se trupat amerikane dhe britanike ende nevojiten për të vendosur qëndrueshmërinë. Në zhvillimet e fundit në Irak, autoritetet atje thonë se një shpërthim me bombë në një stacion policie në jug të Bagdadit la të vrarë një komandant të një njësie speciale të policisë dhe ndihmësin e tij. Sulmet në Irak janë shtuar së tepërmi që nga fillimi i muajit të shenjtë të Ramazanit.//lk

XS
SM
MD
LG