Lidhje

Këshilli i Sigurimit miraton rezolutën për sanksione ndaj Koresë së Veriut


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri një rezolutë që vendos sanksione ndaj Koresë së Veriut për provën bërthamore që mesa duket kreu këtë javë.

Votimi u mbajt më pak se një javë pasi Koreja e Veriut deklaroi se kishte bërë një provë bërthamore të nëndheshme.

Projekt-rezoluta e Kombeve të Bashkuara parashikon sanksione ekonomike dhe armësh kundër Koresë së Veriut përfshirë një ndalim udhëtimi dhe kufizime financiare. Ndërkohë në dokument përjashtohet përdorimi i forcës gjë që shihet si lëshim për Kinën dhe Rusinë.

Pas votimit në Këshillin e Sigurimit, ambasadori i Koresë së Veriut shprehu zhgënjim. Ai përsëriti se Koreja e Veriut kishte kryer një provë bërthamore të hënën e kaluar. Ai tha se kjo provë u bë në përgjigje të asaj që e cilësoi si kërcënim nga Shtetet e Bashkuara.

Shumë vende anëtare të Këshillit të Sigurimit thanë se sanksionet e Kombeve të Bashkuara duhet të tërhiqen në rast se Penjani kthehet në bisedimet 6-palëshe lidhur me programin e tij bërthamor.

Ndërsa lidhur me provën bërthamore, Koreja e Jugut dhe Japonia thanë se nuk kishin dalluar ndonjë shenjë radioaktiviteti për të konfirmuar pretendimin e Koresë së Veriut se kishte kryer provën të hënën.

Mbrëmë vonë, zyrtarë të paidentifikuar amerikanë thanë se avionët amerikanë kishin zbuluar gjurmë të radioaktivitet në mostrat e ajrit të mbledhura në afërsi të zonës ku dyshohet të jetë kryer prova. Por ata theksuan se nuk është bërë ende një përcaktim përfundimtar.

XS
SM
MD
LG