Lidhje

Irani hedh poshtë mundësinë e pezullimit të pasurimit të uraniumit


Irani hodhi poshtë mundësinë për të pezulluar programin e pasurimit të uraniumit, pasi fuqitë perëndimore ranë dakord të diskutojnë mbi sanksione të mundshme kundër Teheranit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Mohamed Ali Hoseini tha sot se pezullimi i programit të pasurimit të uraniumit është, siç u shpreh ai, plotësisht i papranueshëm. Ai tha gjithashtu se Teherani është i interesuar ta zgjidhë këtë çështje nëpërmjet bisedimeve e jo sanksioneve.

Të premten, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermania ranë dakord të diskutojnë për sanksione të mundëshme jo-ushtarake kundër Iranit si pasojë e dështimit të Teheranit për të ndaluar këtë program deri më 31 gusht, afat i caktuar nga Kombet e Bashkuara.

Nënsekretari i shtetit Nicholas Burns tha të premten se ka besim që Këshilli po shkon drejt miratimit të një rezolute për sanksione, për shkak të kundërshtimit të Teheranit për të ndaluar pasurimin e uraniumit. Ai tha se bisedimet do të vendosin se çfarë forme do të kenë sanksionet.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania po përpiqen për vendosjen e sanksioneve kundër Iranit, ndërkohë që Rusia dhe Kina kanë përsëritur qëndrimin se kriza duhet të zgjidhet me bisedime. //ze

XS
SM
MD
LG