Demokratët do të përpiqen të ripërsërisin formulën e bashkëpunimit me të gjtha forcat e djathta që e solli atë në pushtet në zgjedhjet e vitit të kaluar. Kryeministri Sali Berisha shpalli hapur projektin që edhe në garën për pushtetin vendor e djathta të konkurrojë e bashkuar.
Zoti Berisha vlerësoi angazhimin e aleatëve në qeverisje duke deklaruar se arritjet e deritanishme të qeverisë janë siç u shpreh ai fryt i të gjithëve e për këtë arsye koalicioni ështe i domosdoshëm: "Jemi para fushates elektorale ndaj dhe dua t'ju informoj se javën që vjen do mblidhen forumet e partisë për të miratuar qëndrimet e PD-së. Mendoj se koalicioni i forcave qeverisëse është i domosdoshëm. Ky koalicion duhet të ndërtohet në mënyrë të atillë që të mos ketë të humbur prej tij.Javën e ardhshme do jenë forumet që do përcaktojnë grupin negociator. Të ftojmë tryezën e forcave politike të koalicionit qeverisës".
Por zhvillimet brenda së djathtës duket se do t’i hapin shumë punë partisë demokratike për të kënaqur të gjitha palët. Disa nga partitë me të cilat u bashkëpunua vitin e kaluar kanë pësuar ndryshime thelbësore.
Demokristianët, të cilët praktikisht u lanë jashtë qeverisjes sot përfaqësojnë forcën e dytë në parlament, pas çarjes në gjirin e reformatorëve. Kryetari i tyre Nard Ndoka tha sot se partia e tij do të preferonte të dilte e vetme në mënyrë që të testohet pas zgjerimit të saj. Eshtë e qartë se kjo parti nuk mund të kënaqet më me atë fetë të vogël që mori pas 3 korrikut.
Po ashtu me probleme është partia e Lufter Xhuvelit, deputetët e së cilës janë përfshirë ditët e fundit në polemika të ashpra me kryetarin e tyre.
Zgjedhjet vendore pritet të jenë dhe testi i parë për mënyrën se si e djathta ka qeverisur gjatë vitit të parë të saj, por po ashtu do të jenë dhe një gurë prove edhe për opozitën e cila në ndryshim nga viti i kaluar ka vendosur të hyjë e bashkuar.
Beteja kryesore mbetet ajo për bashkinë e kryeqytetit. Kryeministri ka shtuar kohën e fundit sulmet ndaj kryetarit aktual Edi Rama, i cili e ka lënë të hapur mundësinë e rikandidimit të tij. //ad//