Lidhje

Parlamenti serb miraton kushtetuten, Prishtina e quan “lojë politike"


Parlamenti i Serbisë miratoi me shumicë dërrmuese votash një kushtetutë të re që e shpall Kosovën pjesë të vendit, megjithë vazhdimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara për statusin e saj përfundimtar. Parlamenti votoi po dje edhe për t’ja nënshtruar projekt-kushtetutën një referendumi më 28 dhe 29 tetor. Kryeministri Vojisllav Koshtunica tha se projektkushtetura afirmon se Kosova është pjesë e pandarë Serbisë. Dokumenti i ri zëvendëson kushtetutën e hartuar nga ish presidenti Sllobodan Millosheviç në vitin 1990 dhe e trajton Serbinë si shtet të pavarur.

PRISHTINA REAGON

Autoritetet në Kosovë, thonë se hartimi i një kushtetute që e cilëson Kosovën si pjesë të Serbisë, është lojë politike që nuk i ndihmon paqes dhe as krijimit të marrëdhënieve të reja në Evropën Juglindore. Ata pohojnë se kjo është përpjekje për zgjatjen e procesit të negociatave për statusin e Kosovës dhe si e tillë, dëshmon se autoritetet në Beograd nuk janë shkëputur nga e kaluara, madje siç thuhet, veprime të tilla ripërtërijnë politikën e ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq në gjykatën e Hagës ndërsa mbahej procesi kundër tij për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë. Prishtina beson se ky veprim i Beogradit nuk do të mund të ndikojë në rrjedhën e procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar një sërë takimesh mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, por deri tani nuk është shënuar ndonjë përparim për shkak të qëndrimeve shumë të ndara të të dyja palëve. Beogradi kërkon të ruajë sovranitetin mbi Kosovën, ndërsa Prishtina kërkon pavarësinë e plotë të saj. Komuniteti ndërkombëtarë ngulë këmbë që statusi të zgjidhet brenda vitit 2006 dhe ka tërhequr vërejtjen se askush nuk mund të bllokojë procesin në mënyrë të njëanshme. Ndihmës sekretari amerikan i shtetit Daniel Fried, tha gjatë një vizite që bëri në Beograd dhe Prishtinë, se deri tani nuk ka parë ndonjë arsye për shtyrjen e procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

//ze//

XS
SM
MD
LG