Lidhje

Raporti i Departamentit të Shtetit për liritë fetare


Departamenti amerikan i Shtetit thotë se një prirje e përgjithshme drejt lirisë fetare në të gjithë botën gjatë 30 vjetëve të fundit ka ndryshuar nga një rritje e fondamentalizmit. Pikëpamjet e Amerikës mbi lirinë fetare janë po aq të vjetra sa vetë vendi.

Sekretarja e shtetit Kondolisa Rajs paraqiti raportin vjetor të departamentit, duke vënë në dukje se liria fetare është një vlerë demokratike e rrënjosur thellë në historinë amerikane. “Tani kjo është shumë e rëndësishme në përpjekjet tona për të luftuar terrorizmin dhe ideologjinë e urrejtjes që e nxit atë. Në botën e sotme, synimi ynë për të nxitur lirinë fetare dhe tolerancën përtej kufijve tanë është element qenësor edhe për sigurinë kombëtare”, tha zonja Rice.

Raporti thotë se një nga gurthemelet e karakterit amerikan është bindja se besimi është zgjedhje personale dhe liri themelore. Për këtë arsye, amendamenti i parë i kushtetutës amerikane, i miratuar në vitin 1791, ndalon ndërhyrjen e qeverisë në çështje fetare, duke lejuar çdo amerikan të praktikojë cilëndo fe që zgjedh vetë.

Departamenti i Shtetit thotë se prirja globale drejt zgjerimit të lirisë politike gjatë dekadave të fundit përputhet me përhapjen e lirisë fetare. Por John Hanford, ambasador për lirinë fetare në botë, vë në dukje edhe një rritje të fondamentalizmit në disa pjesë të botës myslimane, hindu dhe budiste. John Hanford, ambasador për liritë fetare ndërkombëtare “Pasuesit e këtij qëndrimi ndaj feve të ndryshme kanë bërë përpjekje gjithnjë e më të mëdha për të nxitur dhunë sektare dhe për të sulmuar njerëz të feve të tjera, ose për të marrë qeveritë e tyre apo punuar përmes tyre për të bërë ndryshime që do të sillnin miratimin e ligjeve shumë të kufizuara për fetë e tjera.”

Zoti Hanford veçoi Uzbekistanin si shembull në kufizimin e lirisë fetare. Raporti ngre shqetësime për përhapjen e literaturës dhe ideologjisë fetare jo-tolerante në Arabinë Saudite, ndërkohë që Izraeli akuzohet për kufizimin e lirisë së palestinezëve për të shkuar nëpër xhami.

Raporti i departamentit të shtetit citon gjithashtu presidentin Bush të ketë thënë se liria është dhuratë e Zotit për të gjithë në këtë botë. Zoti Bush beson se kjo është një e vërtetë që nxit përpjekjet amerikane për të ndihmuar njerëzit kudo që janë për të siguruar lirinë fetare. //rd//

XS
SM
MD
LG