Vatikani thotë se Papa Benedikt nuk synonte të fyente ndjenjat myslimane me komentet tij mbi luftën e shenjtë gjatë vizitës së ditëve të fundit në Gjermani. Duke folur të martën para akademikëve në Universitetin e Regensburgut, Papa citoi një perandor bizantin të shekullit të 14-të.
Ai tha se perandori duke folur mbi çështjen e xhihadit kishte thënë se Profeti Muhamet nuk ka sjellë asgjë të re në botë përveçse vepra të këqia e çnjerzore, si, për shembull, urdhëri për të përhapur përmes shpatës fenë që prediktonte”.
Zemërimi për këto komente ka ardhur duke u shtuar në botën islame. Studiues myslimanë thonë se komentet e Papës tregojnë se sa pak e kupton ai Islamin. Disa janë shprehur se vendet islame duhet të shkëpusin marrëdhëniet me Vatikanin.
Në Turqi, një zyrtar i partisë në pushtet e akuzoi Papën se po përpiqet të ngjallë shpirtin e kryqëzatave dhe tha se Papa hyn në të njëjtën kategori me udhëheqës si Hitleri e Musolini. Kleriku më i lartë mysliman i Turqisë bëri thirrje që Papa të kërkojë të falur. Kjo çështje shkaktoi tensione ndërmjet Vatikanit e Turqisë në prag të vizitës së Papës atje, të planifikuar për në muajin nëntor.
Në Egjipt rreth 100 demonstrues u mblodhën në një protestë kundër Vatikanit pranë xhamisë Al-Anzhar të Kajros. Edhe në Pakistan, parlamenti miratoi njëzëri një rezolutë ku dënohet Papa për komente përçmuese ndaj islamit, siç thuhet në të.
Menjëherë pas kthimit të Papës Benedikt nga udhëtimi i tij gjashtë-ditor në landin jugor të Gjermanisë, Bavari, zëdhënësi i Vatikanit, At Frederico Lombardi, tha të martën se sigurisht që Papa nuk synonte t’i hynte një shqyrtimi të thellë të xhihadit dhe mendimit mysliman mbi të, aq më pak të fyente ndjenjat e besimtarëve myslimanë.
At Lombardi tha se Papa e respekton Islamin. Ai tha se Papa dëshëron të kultivojë respekt e dialog ndaj feve e kulturave tjera e gjithashtu islamit.
Imzot Felix Machado, nënsekretari i Këshillit Papnor të Vatikanit për dialogun ndërfetar, u bëri thirrje dje studiuesve myslimanë ta lexojnë edhe një herë ligjeratën e Papës drejtuar akademikëve. “Do të duket qartë që në asnjë mënyrë fjala e Papës nuk mund të konsiderohet sulm ndaj Islamit, por e kundërta, ai po i shtrin dorën e tij, sepse Papa theksoi vlerën e kulturave fetare të njerëzimit ndërmjet të tjerave, i dha një vend të rëndësishëm Islamit”.
Ndërkohë Papa Benedikti emëroi dje një prelat francez me përvojë diplomatike në botën islame në postin e ministrit të ri të jashtëm të Vatikanit. //az//