Lidhje

Prishtinë: Konferencë për Integrimin e komuniteteve


Zyra për Qeverisje të Mirë pranë zyrës së kryeministrit të Kosovës Agim Çeku, në bashkëpunim me OSBE-n dhe zyrën e Sorosit në Kosovë, organizoi sot në Prishtinë Konferencën mbi Hartimin e Strategjisë së Qeverisë për Integrimin e Komuniteteve Romë, Ashkali, dhe Egjiptas në shoqërinë e Kosovës.

Në këtë konferencë u diskutua për hartimin e një strategjie për këtë cështje dhe u bë vlerësimi paraprak i nevojave të komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptas. Kryeministri i Kosovës Agim Çeku nënvizoi nevojën për hartimin e një strategjie të thjeshtë dhe të zbatueshme për plotësimin e nevojave të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptas.

Kryeministri i Kosovës tha se qeveria e tij mbështet standartet më të larta evropiane për të drejtat e njeriut. Zv.shefi i misionit të OSBE-së në Prishtinë, Jens Modvig, tha se ka një bashkëpunim në rritje midis institucioneve vendase në Kosovë dhe përfaqësuesve të këtyre komuniteteve. “Angazhimi i të gjitha palëve që e bëri të mundshme këtë, është një shenjë inkurajuese, më bën të besoj se zhvillimi i një strategjie të përbashkët, do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me të trija komunitetet dhe do të jetë vërtetë e suksesshme”. Zoti Modvig tha gjithashtu se integrimi i këtyre komuniteteve, nënkupton edhe ruajtjen e identitetit të tyre. "Sigurisht një integrim i tillë, nënkupton të drejtën për të ruajtur dhe për të zhvilluar një identitet. Kështu që strategjia do të synojë nevojat e vecanta të secilit komunitet në fushën e shëndetsisë për shembull, arsimit, punësimit, banimit dhe pasurisë”.

Autoritetet në Kosovë po përpiqen të punojnë në dy drejtime njëkohësisht për komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas, për integrimin e tyre në jetën e Kosovës dhe po kështu për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës.

XS
SM
MD
LG