Lidhje

Parlamenti Evropian ratifikon Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit me Shqipërinë


Në Strasburg Parlamenti Evropian ratifikoi sot marrëveshjen e Stabilizim Asocimit të nënshkruar qershorin e shkuar mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Në seancën e parlamentit mori pjesë edhe komisioneri për zgjerimin Olli Rehn i cili deklaroi se ratifikimi i kësj marrëveshjeje e afron Shqipërinë me standartet europiane dhe se gjithshka varet nga suksesi i zbatimit të saj. Komisioneri europian u shpreh se po vëren një pjekuri në politikë përsa i përket procesit të reformës zgjedhore. Ai deklaroi se u ka bërë të qartë autoriteteve shqiptare se diskutimi për këtë reformë duhet të marrë parasysh rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare. Zoti Rehn tha gjatë fjalës së tij se anëtarsimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian kërkon që fillimisht të zbatohet me korrektësi marrëveshja dhe të konsolidohen reformat duke nisur nga ato kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto duhet të jenë objektiva të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të cilët duhen arritur pa shkelur të drejtat themelore demokratike, është shprehur zoti Rehn. Edhe përfaqësuesja e presidencës finlandeze, Ministrja e Zhvillimit Paula Lehtomaki ka bërë thirrje për vazhdimin e reformve edhe në fushën e lirisë së mediave dhe respektimit të Shtetit të së Drejtës. Por ajo është shprehur se atmosfera politike në Shqipëri është shqetësuese dhe përbën një frenim serioz ndaj reformave të reja.

Qeveria shqiptare përshëndeti menjëherë vendimin e sotëm të parlamentit europian si një ngjarje historike. Ky votim, që çel siparin e ratifikimeve të Marrëveshjes nga parlamentet e vendeve anëtare - deklaroi kryeministri Sali Berisha - shton detyrimin ndaj institucioneve shqiptare, forcave politike dhe gjithë shoqërisë për të zbatuar me vendosmëri të gjitha pikat e kësaj kontrate të shqiptarëve me Evropën.

XS
SM
MD
LG