Presidenti serb Boris Tadiç paralajmëroi sot në Washington se pavarësia për Kosovën do të krijonte një precedent të rrezikshëm për Ballkanin dhe gjetkë. Zyrtari i Beogradit zhvilloi bisedime me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs dhe me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë për çështjen e statusit të ardhshëm të Kosovës.
Megjithëse marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë janë dëmtuar për shkak se kjo e fundit nuk ka arrestuar kriminelët e luftës, zoti Tadiç po takon zyrtarë të lartë gjatë vizitës së tij në Uashington, përfshi Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs dhe Nënpresidentin Dik Çejni.
Vizita zhvillohet ndërkohë që bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja në Vjenë për statusin përfundimtar të Kosovës po hyjnë në një fazë kritike. Presidenti serb theksoi kundërshtimin e tij ndaj pavarësisë së Kosovës, e cila administrohet nga OKB-ja që nga viti 1999.
Në një bisedë me gazetarët pas takimit me Sekretaren Rajs, zoti Tadiç tha se qeveria e tij e cila ka mbështetur autonominë, dhe jo pavarësinë e Kosovës, nuk synon të drejtojë jetën politike të komunitetit shqiptar të Kosovës. Por ai shtoi se Serbia kërkon të mbrojë të drejtat e minoritetit serb të Kosovës dhe interesat kombëtare të serbëve.
Ai tha se pavarësia e Kosovës do të kishte ndikime negative për rajonin dhe më gjerë:
"Statusi i ardhshëm i Kosovës është shumë i rëndësishëm për stabilitetin në Kosovë. Por në të njejtën kohë, në se Kosova bëhet një vend i pavarur, do të jetë një precedent ky shumë i rrezikshëm jo vetëm për Ballkanin por edhe për rajone të tjera në botë."
Zoti Tadiç, një politikan pro-perendimor i zgjedhur në vitin 2004, tha se çështja e të dyshuarve për krime lufte ende të lirë, nuk është e lidhur me Kosovën. Fakti që ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti i tij ushtarak, Ratko Mladiç, nuk janë arrestuar ende, i ka tendosur marrëdhëniet midis Serbisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, gjë që çoi në ndërprerjen nga Kongresi amerikan të ndihmave ndaj Beogradit.
Zoti Tadiç dhe sekretarja Rajs nënshkruan një marrëveshje që përkufizon statusin ligjor të personelit ushtarak amerikan që vepron në tokën serbe. Shtetet e Bashkuara kanë marrëveshje të ngjashme me më shumë se 100 vende të tjera. Presidenti serb tha se shpreson që marrëveshja do të shërbejë për nxitjen e një bashkëpunimi më të ngushtë dhe do të hapë dyert për investime private amerikane në vend.