Sulmet terroriste të 11 shtatori të vitit 2001, patën një efekt të madh tek misionet dhe aftësitë ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Pesë vjet më vonë Departamenti i Mbrojtjes vazhdon të punojë për të përballuar sfidat e reja që ka përpara.
Kur avioni i kompanisë ajrore Amerikan goditi Pentagonin në mëngjesin e 11 shtatorit, 5 vjet më parë, jo vetëm që vrau 200 persona, por hapi një epokë të re për ushtrinë amerikane. Kjo epokë përfshin dy luftëra dhe një ballafaqim global me rrjete terroriste; dhe sipas ekspertëve është ende në fazën fillestare.
Ky sulm, si dhe ai kundër Kullave Binjake në Nju Jork, i vendosi terroristët në qendër të vëmendjes së përpjekjeve të ushtrisë amerikane.
Majkëll O’Hanlon është bashkëpunëtor i vjetër shkencor në Institutin kërkimor Brukings, në Uashington.
“Këto ngjarje shënuan kthimin për ne. Tani e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë me forcën, superfuqinë dhe ushtrinë tonë.”
Zëvendësi kryesor i nën-sekretarit amerikan të mbrojtjes për çështjet politike, Rajën Henri, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se sulmet e 11 shtatorit kanë krijuar një dinamikë të re në Pentagon.
“Tani ne përballemi me një armik, i cili nuk përfaqëson një shtet dhe nuk ka ushtri ose flotë. Si mund të luftosh kundër një armiku të tillë? Një mënyrë luftimi kaq e parregullt ka stimuluar kërkesat për rritjen e aftësive për të përballuar këtë lloj armiku.”
Presidenti Bush e ka cilësuar një mënyrë të re luftimi.
“Pa dyshim është një luftë me të cilën njerëzit nuk janë përballur më parë. Lufta kundër terrorizmit është sfida e shekullit të 21.”
Për të përballuar këtë lloj lufte ushtria amerikane e ka ndryshuar mënyrën e stërvitjes. Vëmendja përqëndrohet më shumë tek kryengritja, si të trajtosh civilët dhe të kuptosh kulturën e huaj. Ndërkohë në baza ushtarake përdoren aktorë arabo-amerikanë, si në rastin e këtij aktori në Misisipi. Majkëll O’Hanlon shpjegon:
“Mendoj se ushtria po krijon aftësitë për të përballuar më mirë kryengritjen, për një komunikim më aktiv, për të stërvitur më mirë forcat e vendeve të huaja dhe për të përdorur rolin e kufizuar të forcave speciale në luftime kur është e nevojshme.”
Por analisti O’Hanlon thotë se ushtria nuk ka bërë sa duhet gjatë 5 vjetëve të fundit, pas sulmeve të 11 shtatorit. Me këtë mendim pajtohet edhe Mishellë Flurnoi, nga Qendra për Studime Strategjike Ndërkombëtare.
“E gjithë vëmendja është përqëndruar tek ushtria. Personalisht jam dakord me këtë qëndrim, por mendoj se nuk i kemi përdorur me efektivitetin e duhur, burimet e dhëna për ushtrinë.”
Zoti Henri, nga Departamenti i Mbrojtjes dhe analistë të tjerë thonë se lufta kundër terrorizmit nuk do të fitohet vetëm nga ushtria.
"Ajo që do të na japë një fitore strategjike në këtë luftë është goditja e mbështetjes ideologjike, ku terrorizmi merr energji dhe nëpërmjet së cilës individë besojnë se mund të përdorin terrorizmin ose masakrimin e njerzve të pafajshme, për të arritur qëllime politike. Nuk duhet të dalim fitimtarë. Ne duhet të mposhtim pranimin e kësaj teorie në vendet ku buron.”
Zoti Herni thotë se qëllimi është eliminimi i kërcënimit të mënyrës amerikane të jetesës nga terroristët ndërkombëtarë. Ai thotë se do të jetë e vështirë të tregohet me saktësi momenti i duhur. Por ai shton se 5 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes është i dedikuar t’ia arrijë qëllimit.