Lidhje

Karriera e Andre Agasit - si arriti të bëhej ndër më të mëdhenjtë


Ylli i tenisit amerikan, Andre Agasi, do të tërhiqet nga tenisi profesionist, pas përfundimit të kampionatit të Nju Jorkut. Në turin e parë ai fitoi ndaj Andre Pavel të Rumanisë. Në vazhdim do t’i hedhim një vështrim karrierës së tij interesante dhe si arriti Agasi të bëhej në një nga lojtarët më të mëdhenj të këtij sporti.

Andre Agasi bën nxemjen në fushën e tenisit, pa dyshim pa fanelën e sportit. Të paktën gjatë 20 vjetëve të fundit kjo është një pamje e zakontë në qendrën e tenisit. Vite rivaliteti të ashpër kundër lojtarëve më të mirë, kanë luajtur rolin e tyre tek veterani 36-vjeçar, i cili ka vendosur të tërhiqet nga tenisi pas rekordit të pjesëmarrjes 21 herë me radhë në kampionatin amerikan të Nju Jorkut. “Është e vështirë të qëndrosh në formë këtu, me një rivalitet të lartë dhe mbi fusha tenisi të ndryshme”, thotë tenisti.

Agasi ishte 16 vjeç kur filloi karrierën si lojtar profesionist në vitin 1986. Me flokët e gjata, fanelat shumëngjyrëshe dhe me natyrën e një djali të hedhur, ai fitoi zemrat e publikut. Parke Bruër, i Zërit të Amerikës, kujton paraqitjen e parë të Agasit. “Agasi ishte pothuajse si një yll i muzikës rrok. Tipi të cilin vajzat kërkojnë, flokë të gjata, i ngjashëm me një këngëtar roku.”

Agasi ndryshoi pamjen dhe qëndrimin më vonë gjatë karrierës së tij, por strategjia e tij e fitores mbeti e njëjtë. Ai përdori një shërbim të fortë dhe një kthim shërbimi të fuqishëm shpesh shumë afër vijave kufizuese, duke u bërë një nga lojtarët më të sukseshmëm në historinë e tenisit. Ai ka fituar 8 tituj të mëdhenj dhe është një nga 5 lojtarët që i ka fituar të katërt kampionatet më të njohur në sportin e tenisit. Jo më larg se vitit 2005, Agasi u rendit në 20 lojtarët më të mirë nga Shoqata e Tenisit Profesionist. Por vitet kanë bërë të vetën. Ai ka rënë ndjeshëm në klasifikimin renditës të lojtarëve këtë vit.

Një problem kronik me shpinën i ka marrë një pjesë të shpejtësisë dhe kortizoni është tani i nevojshëm. Agasi ka shprehur ndjenja të ndryshme lidhur me tërheqjen nga tenisi, sport të cilin ai e filloi në moshën 3-vjeçare duke u stërvitur me të atin, një boksier, pjesëmarrës i ekipinit olimpik të Iranit. “Do të më mungojnë ndeshjet dhe sportdashësit. Do të më mungojnë stërvitjet dhe njerëzit që janë gjithmonë të pranishëm, por nuk mund të them se jam i mërzitur. Mendoj se një kapitull tjetër i rëndësishëm do të pasojë”, thotë Agasi.

Bruër kujton kthimin e fuqishëm të Agasit, në një moshë kur shumica e lojtarëve mendojnë të tërhiqen. “Ne gjithashtu kujtojmë si ai arriti në kulmin e tij në moshë të re, ra në vendin 141 në renditjen e përgjithshme të lojtarëve të tenisit, dhe në të 30-tat u kthye për të arritur përsëri në krye. Kjo është një arritje e shkëlqyer sportive.” Pas 20 vjetësh në tenisin profesionist, prania e Agasit në kampionatin amerikan të Nju Jorkut këtë vit është gjithashtu një arritje e shkëlqyer.

XS
SM
MD
LG