Lidhje

Surroi: Së shpejti do të dalim me një raport komplet në Kuvendin e Kosovës...


Grupi negociator i Kosovës u takua sot, pas vizitës javën e kaluar, të kryenegociatorit Ahtisari . Në takim u fol mbi ekzistencën e një numri çështjesh të hapura që kanë të bëjnë me decentralizimin dhe me të drejtat e komuniteteve. Grupi dënoi gjithashtu incidentin në Mitrovicën Veriore, ku u plagosën 9 persona, duke u kërkuar qytetarëve të Kosovës, të jenë vigjilentë dhe të përmbajtur. Për të diskutuar mbi këto tema, Zëri i Amerikës intervistoi për "Ditarin" zotin Veton Surroi, pjesëtar i grupit negociator:

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, takimi i sotëm i grupit negociator të Kosovës sapo ka përfunduar. Çfarë ndryshimesh, do të ketë propozimi juaj i mëparshëm, për decentralizimin, a do të shtohet numri i komunave me popullsi serbe?

Veton Surroi: Jo, propozimi ynë lidhur me decentralizimin nuk ka bëjë me shtimin e numrit të komunave, por ka të bëjë me sqarimin e qëndrimeve tona lidhur me kompetencat, lidhur me lidhjet, në veçanti me Mitrovicën, sepse ne e konsiderojmë që çështja e Mitrovicës duhet të lidhet pashmangashmërisht me çështjen e decentralizimit dhe nuk mund të lihet anash, si një çështje që mund të trajtohet më vonë. Ne mendojmë që Mitrovica, në funksionin e vet si një qytetet me dy komuna duhet të jetë një qytet funksional, me një bord ekzekutiv funksional dhe me një administratë unike.

Zëri i Amerikës: Le të qëndrojmë pak tek ceshtja e Mitrovicës. Ndërsa ju po diskutonit për çështjen e pakicave, në Mitrovicë ndodhi përsëri një incident këtë fundjavë. Çfarë ndikimi mendoni se do të ketë kjo në gjendjen e tanishme?

Veton Surroi: Ky incident u shërben atyre forcave, të cilët thonë se procesi negociator është bllokuar, se procesi negociator u shkon për shtati shqiptarëve, se zoti Ahtisari anon nga shqiptarët, dmth., të gjitha interpretimet që janë bërë në ditën e djeshme dhe të sotme, lidhur me incidentin e Mitrovicës, kanë të bëjnë me nje fenomen që të çon drejtpërsëdrejti nga një bombë dore që shpërthen në një kafeteri, drejtpërsëdrejti tek procesi i negociatave dhe tek përfundimi i procesit.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, po lidhur me krijimin e komunave me popullsi serbe, a u disktua në takimin e sotëm?

Veton Surroi: Jo vetëm në takimin e sotëm, por edhe në takime të tjera, ne kemi pas patur parasysh platformën, të cilën e patëm aprovuar më herët, që ka të bëjë me krijimin e komunave funksionale në Kosova. Natyrisht, mos harroni që propozimet tona kanë kaluar pothuasje në shtatë raunde bisedimesh në Vjenë për decentralizimin, kështuqë nuk kemi patur çfarë të rejash të shtojmë, prandaj t’i vendosim në një kontekst real.

Zëri i Amerikës: Çfarë qëndrimi do të mbani ju lidhur me krijmin e komunave të reja, serbe, më saktë, çfarë numri do të propozoni ju për numrin e këtyre komunave?

Veton Surroi: Së shpejti do të dalim me një raport komplet në Kuvendin e Kosovës, ku do t’i informojmë më saktësisht, edhe për numrin, edhe për njësitë kadastrale që do të kyçen brenda. Ne nuk kemi lëvizur nga qëndrimet e mëhershme për numrin e komunave.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, për këto komuna po ashtu është kërkuar që të kenë lidhje të veçanta me Beogradin, cili është qëndrimi i palës shqiptare për këto marrëdhënie, çfarë forme do të kenë ato?

Veton Surroi: Ne mendojmë se komunat, në përgjithësi, qytetarët e Kosovës duhet të kenë të drejtë të komunikojnë me vende të tjera, është një e drejtë e natyrshme; këto komuna, si edhe komuna të tjera: në se Gjakova ka të të drejtë të komunikojë me Bajram Currin, këtë të drejtë duhet ta kenë edhe komuna të tjera që gjenden në zonat kuftare të Kosovës; mirëpo, atë që duam të theksojmë dhe që e kemi ritheksuar sot, e kemi vendosur brenda një konteksti ligjor, është se nuk mund të ekzistojë një proces i komunikimit të drejtpërdrejtë mes komunave dhe pushtetit qendror të vendeve fqinje jashtë kontekstit të marrëdhënieve të pushtetit të Kosovës me atë pushtet, dmth me atë qeveri. Kjo do të thotë që komunat serbe, apo komunat që kanë një popullatë me shumicë serbe në Kosovë, mund të komunikojnë me pushtetin e Serbisë, vetëm brenda një konteksti të përgjithshëm të komunikimit të Kosovës me adminsitratën.

Zëri i Amerikës: Ju keni diskutuar edhe për një kornizë të re të komuniteteve. Për çfarë detajesh të reja bëhet fjalë, cila do të jetë kjo kornizë e re?

Veton Surroi: Bëhet vetëm fjalë për përmirësime, për sqarimet e nevojshme të kërkuara nga zoti Ahtisari dhe nga ekipi i tij të mërkurën dhe të enjten në Prishtinë. Ne jemi përpjekur që t’i inkorporojmë disa prej çështjeve. Disa prej çështjeve, natyrisht, kemi këmbëngulje që të mbeten të njejta dhe ndonëse të shpjeguara. Ajo çka ndodh si një risi, është mënyra e sistemit të votimit, i cili garanton që të mos ketë majorizim për çështje të interesit vital, e kjo do të thotë se ligjet, që kanë të bëjnë me gjuhën, me identitein kombëtar, e të tjera, pas ndryshimit të tyre, kërkojnë një bendikushmëri vendimesh, ose një sistem të ndërlikuar vendimmarrjeje, që të ndryshojë përbërjen e këtyre ligjeve.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, deri tani komunitetet kanë të rezervuar 20 vende në kuvend, a pritet që të ndryshojë ky numër në të ardhmen?

Veton Surroi: Ne e kemi sqaruar këtë çeshtjeë ne kemi 20 vende të garantuara, jo të rezervuara komuniteve, siç ka qenë deri më sot, vetëm në se po fusim një sistem më të ndërlikuar vendimamrrjeje, konsiderojmë se do të ishte e tepërt që komunitetet që jetojnë në pakicë të kenë një formulë, sipas së cilës do të fitonin 30, apo 40 vende, çfarë ka qenë një mundësi në zgjedhjet e mëhershme. Ne mendojmë se 20 vende të garantuara janë të mjaftueshme, në se kjo formë i bashkangjitet edhe çeshtjes siças së cilës, ligjet që kanë të bëjnë me identitetin, çështje të interesit vital, duhet të kalojnë nëpër një shumicë të kuvendit dhe një shumice të komuniteteve.

XS
SM
MD
LG