Shtetet e Bashkuara thonë se përgjigja e Iranit ndaj propozimit të komunitetit ndërkombëtar lidhur me programin bërthamor të Teheranit nuk i përmbush kushtet e Kombeve të Bashkuara.
Një zëdhënës i departamentit amerikan të shtetit tha se Uashingtoni po këshillohet me vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me hapat e ardhshëm.
Zëdhënësi vuri në dukje se rezoluta e Këshillit të Sigurimit i kërkon Iranit të pezullojë plotësisht dhe në mënyrë të verifikueshme pasurimin e uraniumit deri më 31 gusht.
Pesë vendet e përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Gjermania kanë ofruar nisma në se Irani pezullon punën sekrete në fushën bërthamore.
Të martën, Irani tha se ishte gati për ‘negociata serioze’ lidhur me programin e tij bërthamor, por nuk tha në se do të ndalojë veprimtaritë e pasurimit të uraniumit deri më 31 gusht, afati i caktuar nga Këshilli i Sigurimit.
Fuqitë botërore vazhdojnë të studiojnë përgjigjen zyrtare të Iranit ndaj ofertës me nisma të komunitetit ndërkombëtar.