Presidenti tha se ekziston një nevojë urgjente për një forcë të efekshme ndërkombëtare në Liban.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të caktojë tani udhëheqjen e një force të re ndërkombëtare, t’i caktojë asaj rregulla të forta angazhimi dhe ta dislokojë atë sa më parë që të jetë e mundur për të siguruar paqen.”
Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin këtë forcë. Ai premtoi gjithashtu se do të shtohen ndihmat amerikane për të ndihmuar në stërvitjen e ushtrisë libaneze, si pjesë e një pakete ndihmash, që do të sigurojë gjithashtu fonde për rindërtimin e shtëpive, rrugëve dhe shkollave.
“Sot dua të njoftoj se Amerika do të dërgojë më shumë ndihma për të mbështetur projekte humanitare dhe të rindërtimit në Liban. Këto ndihma kapin shumën e mbi 230 milion dollarëve.”
Gjatë një takimi me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush tha se objektivi nuk ka qënë vetëm të ruhet armëpushimi i brishtë midis Izraelit dhe ekstremistëve të Hezbollahut në Libanin e jugut, por edhe të forcohet qeveria demokratike e Libanit.
Zoti Bush tha se në Irak, ashtu si edhe në Liban, ekstremistët po përpiqen të minojnë një demokraci të re. Ai tha se objektivi i Amerikës është të ndihmojë popullin irakian që të krijojë një shoqëri të lirë, madje ai hodhi poshtë thirrjet për tërheqjen e trupave amerikane.
“Këtu në Amerikë po zhvillohet një debat interesant rreth mënyrës se si ta trajtojmë çështjen e Irakut. Ka shumë njerëz, njerëz të mirë e të sinqertë, që thonë se Amerika duhet të tërhiqet. Ata janë krejtësisht të gabuar. Tërheqja e trupave amerikane nga Iraku do të ishte një gabim i madh për Amerikën.”
Presidenti e pranoi se herë herë është i pakënaqur me ngjarrjet në Irak, madje është i shqetësuar rreth mundësisë që dhuna sektare të shndërohet në një luftë civile.
“Kam biseduar me shumë njerëz rreth kësaj çështjeje. Dhe kam arritur në përfundimin se irakianët duan një vend të bashkuar dhe udhëheqja irakiane është e vendosur t’u kundërvihet përpjekjeve të ekstremistëve dhe radikalëve.”
Disa herë gjatë konferencës së shtypit, zoti Bush iu referua mbështetjes nga Irani të militantëve në rajon dhe kërcënimin që përbëjnë ambicjet bërthamore të Teheranit. Ai tha se Irani përbën një sfidë, që mund të zgjidhet më së miri kur komuniteti ndërkombëtar flet me një zë të vetëm.
Pastaj presidenti u pyet në se ekziston vullneti për të vendosur sanksionet e Kombeve të Bashkuara, në se Teherani nuk përfill kërkesat për të ndalur pasurimin e uraniumit.
“Në mënyrë që Kombet e Bashkuara të jenë të efektshme, duhet të ketë pasoja në se njerzit tallen me Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ne do të punojmë me palët e tjera në Këshillin e Sigurimit që të arrijmë këtë objektiv.”
Presidenti Bush foli gjithashtu rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut dhe përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të ndalur Penjanin që të krijojë një arsenal bërthamor. Ai tha se kishte diskutuar mbi këtë çështje para pak orësh me presidentin e Kinës, Hu Gjin Tao, diskutim që ishte përqëndruar në përpjekjet për ta kthyer Korenë e Veriut në bisedimet 6-palëshe të organizuara nga Pekini.