Lidhje

Bejli: reformat elektorale në Shqipëri kërkojnë vullnet të fortë politik


Problemet me listat e zgjedhësve në Shqipëri mbeten një temë polemikash ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe duket se nuk do të gjejnë zgjidhje përfundimtare as për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ish- Shefi i zyrës së Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet e Zgjedhjeve (IFES) në Shqipëri, Dikson Bejli, thekson se vështirësia më e madhe mbetet angazhimi serioz i partive për ta realizuar këtë proces, pasi nëse merret ky angazhim, pushteti lokal do të kryejë rishikimin e listave. Në përfundim të misionit të IFES-it në Shqipëri, zoti Bailey diskutoi lidhur me problemet krysore të sistemit elektoral.

Zëri i Amerikës: Zoti Bejli, ju sapo keni mbërritur nga rajoni. Në përfundim të misionit të IFES-it në Shqipëri a mund të përmblidhni ju lutem sfidat kryesore që mbeten në procesin elektoral në Shqipëri?

Dikson Bejli: Ka një numër sfidash. Një prej tyre janë ndryshimet që mund të bëhen në kodin elektoral, në përputhje me amendamentet ligjore që priten para zgjedhjeve të ardhshme. Sfida më e madhe mbeten listat e zgjedhësve dhe saktësia e tyre. Një detyrë e vështirë është të caktohet qartë se çfarë duhet bërë dhe si të bëhet si dhe të sigurohet vullneti politik i të dyja palëve në mënyrë që të fillojë puna për realizimin e synimit.

Zëri i Amerikës: Duket se si opozita, ashtu edhe Partia Demokratike në pushtet akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë vullneti politik për të përgatitur listat e reja. A është aspekti politik apo çështje teknike që e pengojnë zgjidhjen e këtij problemi?

Dikson Bejli: Pushteti lokal është përgjegjës për listat e votuesve, ashtu siç ishte edhe në zgjedhjet e mëparshme. Vështirësia më e madhe është angazhimi i partive për ta realizuar këtë proces, pasi nëse merret ky angazhim, pushteti lokal do ta kryejë atë. Debati më i madh është përqëndruar tani në regjistrimin e përkohshëm që u përdor në zgjedhjet e mëparshme dhe që shërben për të përcaktuar me saktësi vendbanimin e zgjedhësve. Por këto çështje nuk do të zgjidhen nëse nuk reformohet plotësisht regjistri civil në Shqipëri me adresat e sakta. Por ajo reformë nuk është kryer ende dhe do të dojë kohë.

Zëri i Amerikës: Shumë fonde janë shpenzuar edhe nga IFES edhe nga shoqata dhe institucione të tjera për të përgatitur listën e përhershme. Si ka mundësi që ende ndeshemi me këtë problem edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale?

Dikson Bejli: Është e vërtetë që janë shpenzuar shumë fonde dhe është angazhuar një kohë e gjatë dhe përpjekje të shumta. IFES, OSBE, PNUD dhe organizata të tjera janë angazhuar. Dy vjet më parë, bazuar në ndryshimet e ligjit, pushtetit lokal iu kalua përgjegjësia për të mbledhur të dhënat, bazuar në regjistrin civil, të cilat do t’i transferonte më pas në një qendër të dhënash në Tiranë. Kjo nuk është realizuar ende, pra kemi një regjistër civil që është në të njëjtën gjendje si 6 vjet më parë. Kur ky regjistër nuk është i saktë edhe listat e votuesve nuk do të jenë të sakta. Këtë e kemi ndeshur disa herë, si kur është fjala për paaftësinë e zyrave lokale civile për të komunikuar ndryshimet e ndodhura, ashtu edhe në mungesën e aftësisë për të vënë në zbatim ligjin që u kërkon qytetarëve të ri-regjistrohen kur ndryshojnë banim. Pra nuk ka pasur një regjistrim të saktë të lëvizjes së popullatës.

Zëri i Amerikës: A do të shohim këto probleme përsëri në zgjedhjet e ardhshme lokale? A do të ketë kohë që të përmirësohen listat?

Dikson Bejli: Përpjekjet e tanishme do të përqëndrohen kryesisht në përmirësimin e listave ekzistuese, përsëri bazuar në të dhënat e regjistrit ekzistues civil. Ekziston një projekt, ende në fazën e diskutimit, i cili parashikon një reformim të plotë të regjistrit civil, duke përfshirë në këtë proces edhe futjen e të dhënave në kompiuter. Shpresojmë se ky projekt do të fillojë në vjeshtë. Por derisa të realizohet ky projekt, përpjekjet do të përqëndrohen vetëm në rishikimin dhe përmirësimin e listave ekzistuese.

Zëri i Amerikës: Listat e zgjedhësve, problemet me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha këto ngrenë edhe shumë dyshime për procesin zgjedhor dhe për votën e lirë në Shqipëri. A ka pasur përparim në zgjidhjen e pikëpyetjeve dhe problemeve?

Dikson Bejli: Ka pasur mjaft përparim. Dy raportet e fundit të ODIHR-it treguan se KQZ-ja ka bërë një punë të mirë dhe profesionale. Kritika që është përsëritur vazhdimisht në raporte ka të bëjë me përpjekjet e partive politike për të ndikuar tek anëtarët e Komisionit dhe ky vazhdon të jetë problem. Tani puna duhet të përqëndrohet në infrastrukturën e nevojshme për zgjedhje të mira, njëra prej të cilave është lista, tjetra është kualifikimi i detyrueshëm i zyrtarëve të zgjedhjeve, sidomos në nivelin lokal, ku militantët partiakë janë edhe më të zellshëm për të treguar partishmërinë e tyre. Prandaj edhe kualifikimi i zyrtarëve në nivelin lokal është shumë i nevojshëm.

Zëri i Amerikës: Ju e keni ndjekur nga afër punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Si mendoni se do të ndikojnë polemikat politike që lindën me zgjedhjen e kryetarit të Komisionit dhe të anëtarëve të rinj në funksionim e këtij komisioni?

Dikson Bejli: Mendoj se pas një periudhë kohe ata do të arrijnë të bashkëpunojnë si një institucion i vetëm. Polemikat politike ishin një zhvillim i papëlqyeshëm. Unë nuk kam kundërshtim ndaj praktikës që partitë të emërojnë kandidatët e tyre, por jo të përpiqen të kontrollojnë punën e KQZ-së. Ky është një institucion i pavarur dhe anëtarët e tij kanë përgjegjësi ndaj institucionit dhe popullit shqiptar dhe jo ndaj partive politike. Kjo nuk nënkupton se anëtarët e tij nuk do të dëgjojnë sugjerime nga të gjitha partitë, por detyra e tyre është të marrin vendimet e tyre në përputhje me ligjin. Kushtetuta është shumë e qartë lidhur me KQZ-në në cilësimin e tij si një institucion i pavarur qeveritar, me 7 anëtarë, por nuk ka referenca lidhur me përkatësinë e tyre politike. Ky nuk mund dhe nuk duhet të jetë një institucion që i shërben një partie apo një qeverie. Mënyra sesi është strukturuar ky institucion ai do të ketë shumicë anëtarësh nga njëra apo tjetra parti, por ky nuk është synimi i Komisionit zgjedhor. Askund në botë komisioni zgjedhor nuk i shërben interesave të një partie, por të popullit dhe sistemit.

Zëri i Amerikës: Si i gjykoni ankesat e opozitës socialiste lidhur me zgjedhjen e njërit prej anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vendimin e për të bojkotuar procesin nëse nuk merren në konsideratë ankesat e tyre?

Dikson Bejli: Mendoj se ky qëndrim i dëmton ata dhe shpresoj se nuk do ta vënë në realitet kërcënimin për bojkotim. Do të doja që ata të vazhdojnë angazhimin në procesin demokratik. Kjo është një çështje e rëndësishme, por ka edhe çështje të tjera të rëndësishme dhe shpresoj se ata do të shprehin pakënaqësinë e tyre, por të mos zgjedhin bojkotimin. //ad//

XS
SM
MD
LG