Autoritetet amerikane po kërkojnë të ekstradojnë një amerikan, i arrestuar në Tailandë për vrasjen e një gjashtë vjeçareje në vitin 1996 në Shtetet e Bashkuara.
Prokurorja e qytetit Boulder në Kolorado, Mary Lacy tha sot se ka ende punë për tu bërë tani që i dyshuari John Mark Karr është nën arrest. Ai përballet me akuza për vrasje, rrëmbim dhe ngacmim seksual të JonBenet Ramseyt. Lacy tha se çështjet ligjore duhet të zgjidhen në mënyrë që mësuesi 41 vjeçar të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara.
Dje Karr foli me gazetarët në Bangkok pasi policia tailandeze njoftoi se ai pranoi vrasjen e JonBenet Ramseyt. Në komentet e tij të para për publikun, Karr tha se ishte me JonBenet kur ajo vdiq dhe se e donte. Vajza u gjet e rrahur dhe e lidhur në qilarin e shtëpisë së saj në Kolorado.
Hetuesit kishin dyshime për prindërit e saj por nuk ngritën padi ndaj tyre. Megjithatë, dyshimi se prindërit ishin të përfshirë në vrasje zgjati për disa vjetë.