Lidhje

Konflikti i fundit në Lindjen e Mesme: Cila palë humbi e cila fitoi


Luftimet në Libanin jugor mes trupave izraelite dhe Hezbollahut janë ndërprerë tani për tani. Një marrëveshje për armëpushim bën thirrje për dislokimin e paqeruajtësve ndërkombëtarë dhe trupave libaneze në atë zonë. Tani po bëhet analiza se cila palë doli në pozicion më të fortë, si rezultat i luftimeve.

Luftimet zgjatën pak më shumë se një muaj, duke shkaktuar viktima të shumta. Shumica ishin civilë libanezë.

Tani po analizohet se çfarë do të thotë konflikti për të ardhmen e Libanit dhe Lindjen e Mesme në përgjithësi. Për presidentin Bush, është e qartë që grupi esktremist ka dalë i humbur.

“Hezbollahu ka një makineri fantastike propagande dhe pretendon se ka fituar. Por si mund të pretendosh që ke fituar kur dikur ishe një shtet brenda shtetit në Libanin e Jugut dhe tani aty do të ketë një ushtri libaneze dhe një forcë ndërkombëtare? Dhe ne për këtë po përpiqemi, që të fusim forcën ndërkombëtare në Libanin Jugor”.

Megjithatë rezistenca e fortë e Hezbollahut ndaj Izraelit siguroi mbështetjen e shumë arabëve që dolën nëpër rrugë në demonstrata pro Hezbollahut. Edhe nëse grupi ekstremist tërhiqet nga pozicionet në Libanin Jugor, pozita e tij në botën arabe është forcuar, sipas ish-diplomatit amerikan David Newton, analist në Institutin e Lindjes së Mesme.

“Tani ata shihen si heronj mes shumë arabëve. Arabët ndiheshin gjithmonë të poshtëruar nga dobësia e tyre para Izraelit dhe tani një grup që duket si një milici e vogël pa armë të rënda dhe pa forcë ajrore po lufton fuqinë ushtarake më mbizotëruese në Lindjen e Mesme”.

Ky fakt ka pasoja për Izraelin, ku në disa qarqe po vihet në pikëpyetje mënyra sesi e menaxhoi krizën kryeministri Ehud Olmert. Ellen Laipson drejton qendrën Henry L. Stimson në Washington.

“Është e qartë se ajo që ndodhi me Hezbullahun i kujton Izraelit se ka fqinjë që mund t’i prishin punë. Por mendoj se asgjë që ndodhi nuk mund ta ndryshojë idenë e krijuar në Izrael se bashkëekzistenca paqësore dhe komunikimi me fqinjët arabë është me të vërtetë diçka e vështirë për t’u realizuar”.

Konflikti që sapo përfundoi pati pasoja edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme. Washingtoni u kritikua që nuk ndërhyri më parë për një armëpushim. Presidenti Bush i hedh poshtë kritikat.

“Para së gjithash, ne që në fillim inkurajuam përmbajtje nga të dyja palët që të mbroheshin jetët e pafajshme. Dhe së dyti mendoj se shumë udhëheqës në botë e vlerësojnë sekretaren Rice dhe ekipin e saj për miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara”.

Rezoluta bën thirrje për dislokimin e 15 mijë paqeruajtësve ndërkombëtarë për të patrulluar një zonë të posaçme të çmilitarizuar në Libanin Jugor së bashku me disa trupa libaneze. Por edhe kur kjo të realizohet, Ellen Laipson beson se konflikti ka minuar interesat amerikane në rajon.

“Mendoj se njerëzit do ta kritikojnë besimin e administratës së Presidentit Bush se sulmet ndaj Hezbollahut përputheshin në përgjithësi me interesat dhe synimet amerikane. Ajo që shohim tani është se Shtetet e Bashkuara janë aq të angazhuara me Irakun ku nga këndvështrimi amerikan gjërat atje nuk po shkojnë aq mirë, dhe si rrjedhojë nuk kishin aq burime, kohë dhe vëmendje për t’ua kushtuar disa prej këtyre konflikteve të vjetra më të vogla”.

Megjithatë disa vëzhgues mendojnë se Libani dhe kryeministri i tij Fuad Siniora në fund të fundit mund të dalin të fituar nga ky konflikt. Libani fiton më shumë kontroll mbi territorin e tij, ndërsa ndikimi i Hezbollahut si shtet brenda shtetit mund të jetë pakësuar.

XS
SM
MD
LG