Lidhje

Shtetet e Bashkuara kritikojnë ashpër Iranin dhe Sirinë për komentet lidhur me konfliktin në Liban


Administrata e presidentit Bush kritikoi dje ashpër Iranin dhe Sirinë që pretenduan fitore për Hezbollahun në konfliktin në Liban. Ndërkohë, zëvëndës-kryeministri izraelit Shimon Peres, i cili u takua me sekretaren amerikane të shtetit Kondolisa Rice, tha se Hezbollahu mund të ketë humbur 50 përqind të forcës luftarake pararojë.

Administrata e presidentit Bush tha se megjithë pretendimet e tij për fitore, konflikti ishte një zbrapsje strategjike për Hezbollahun si dhe për dy sponsorizuesit e tij ndërkombëtarë. Madje krye eksperti i departamentit të shtetit për politikën e Lindjes së Mesme kritikoi Iranin dhe Sirinë për komentet që këto dy vende bënë, të cilat sipas ekspertit, synojnë të përfitojnë politikisht nga një tragjedi rajonale.

Duke folur në qendrën e shtypit të huaj në Washington, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet e Lindjes së Afërme, David Welch iu kundërpërgjigj komenteve të presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad dhe presidentit sirian, Bashar al-Assad, që i thurrën lavdi Hezbollahut, i cili shkaktoi fillimin e konfliktit më 12 korrik kur rrëmbeu 2 ushtarë izraelitë.

Ndihmës-sekretari Welch tha se është një situatë e trishtueshme kur udhëheqësit e vendeve të tjera qëndrojnë mbi gërmadhat e Libanit, siç u shpreh ai, pas konfliktit dhe pretendojnë fitore për vizionin e tyre të Lindjes së Mesme.

“Është e tmerrshme që presidenti i Iranit, i cili kërkon që vendi i tij të respektohet nga komuniteti ndërkombëtar, përpiqen të përfitojë nga kjo tragjedi. Për sa i përket presidentit të Sirisë, ju mund ta gjykoni vetë qëndrimin e tij gjatë gjithë kësaj krize si dhe fjalimin e tij të fundit. Kjo tregon se sa pak ndihmojnë këta udhëheqës drejt zgjidhjes së konfliktit. Përkundrazi ata përpiqen të shtojnë emocionet dhe zemërimin tek populli në një kohë tragjedie për të përfituar vetë.”

Presidenti i Sirisë dhe ai i Iranit thanë dje se lufta kishte qënë një fitore për Hezbollahun dhe një humbje për synimet politike të Shteteve të Bashkuara në rajonin e Lindjes së Mesme.

Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Sean McCormack nuk i përfilli këto komente, duke i cilësuar si kapardisje dhe tha se sapo të vihet në zbatim rezoluta e miratuar javën e kaluar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, Hezbollahu nuk do të jetë më një shtet bërnda një shteti i aftë për të bërë si të dojë në zonën kufitare me Izraelin.

Zëvëndës-kryeministri izraelit Shimon Peres, i cili u takua me sekretaren amerikane të shtetit Kondolisa Rice, u tha gazetarëve në departamentin e shtetit, se pavarësisht nga retorikat e kohëve të fundit, shumica e vendeve arabe përshëndesin kufijtë që i janë vënë Hezbollahut, të cilin zoti Peres, e karakterizoi si një legjion i huaj iranian në Lindjen e Mesme.

“Sot Hezbollahu është një divizion i armatosur iranian, i stërvitur, i armatosur, i komanduar dhe i financuar nga Irani. Ne llogarisim se Irani i jep Hezbollahut mbi 100 milion dollarë në vit. Ata janë një forcë e paguar iraniane, pavarësisht nga emri që mbajnë. Shumica e armëve vijnë nga Irani bashkë me inspektorë iranianë armësh në Liban. Një pjesë e luftëtarëve Hezbollah stërviten në Iran. Pra ne e konsiderojmë Hezbollahun si një legjion të huaj iranian.”

Zoti Peres tha se Izraeli llogarit se gjysma e forcës kryesore luftarake të Hezbollahut prej rreth 2 mijë e 500 guerriljesh u vranë ose u plagosën gjatë konfliktit 34 ditor.

Një zyrtar i lartë, që udhëtonte me zëvëndës-kryeministrin Peres, tha se Izraeli beson që Irani dhe Siria mund të jenë tashmë duke u përpjekur të furnizojnë përsëri Hezbollahun. Zyrtari shtoi se Izraeli do t’i kërkojë komunitetit ndërkombëtar që të zbatojë një vendim për ndalimin e armëve, i përfshirë në rezolutën e Kombeve të Bashkuara, që u miratua javën e kaluar.

XS
SM
MD
LG